E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Lucio Dalla, lë turneun përgjysmë

Lucio Dalla dhe Xhani Morandi gjatë edicionit të fundit të Sanremos

U nda nga jeta në moshën 69-vjeçare kantautori italian.

Një goditje në zemër i mori jetën në Zvicër. Kolegët: Ishte i lumtur për koncertet.

Pas dy ditësh do të bënte 69 vjeç. Ndodhej në Montreux, në Zvicër, për një tur koncertesh. Një atak kardiak la gjithçka në mes. E papritur vdekja e kantautorit të madh italian Lucio Dalla, një prej atyre artistëve që ridimensionuan muzikën italiane dhe i dhanë një vlerë të veçantë muzikës live. Një nga perlat e shkruara prej tij është “Caruso”, e kënduar nga ai vet, por e përjetësuar nga zëri i Lucioano Pavarotit. Fatkeqësisht, Dalla e ndoqi shumë shpejt maestron e madh të operistikes.

“Folëm mbrëmë në telefon, ishte gjithë energji”, thotë për mediat fotoreporteri Roberto Serra, mik i vjetër i Dallas. “Nuk është e mundur! Më telefonoi mbrëmë, ishte mirë, i lumtur, i qetë dhe në paqe me veten. Ishte i kënaqur për një intervistë që sapo kishte dhënë dhe për turneun europian që sapo kishte nisur. Thoshte se ishte i emocionuar të kthehej pas 30 vjetësh në të njëjtat vende ku kishte kënduar dikur dhe me gjithë ndryshimet që kishin ndodhur, gjente të njëjtin pozitivitet tek publiku. Ishte në Zyrih, po shkonte në Montreux. Ishte i lumtur”. “Ishte i lumtur si i kishte shkuar koncerti. U zgjua herët, hëngri mëngjes, bëri ca telefonata…”,  bën të njohur Midas, shoqëria e komunikacionit në botën e muzikës dhe spektaklit, krijuar nga Michele Mondella.
Mbrëmjen e së mërkurës, në Montreux, koncerti shkoi shumë mirë. Turneu i fundit i Dallas nisi në Lucerna më 27 shkurt, për të vijuar në Zyrih. Pas Motreux, Dalla do këndonte në Basilea, Bernë, Gjenevë, Lugano, Paris, Duseldorf, Hamburg, Brema, Frankfurt, Luksemburg, Monako, për ta mbyllur në Berlin Pjesëmarrja e tij në festivalin e fundit në Sanremo, merr kështu një vlerë të veçantë, sidomos momenti i drejtimit të orkestrës gjatë këngës së Davide Carone, Nanì, të cilën e kishte shkruar ai, duke lënë në kujtesën e miliona shikuesve të Sanremos imazhin e tij të qeshur. Ishte kjo përshëndetja e tij e fundit.
Lajmi i papritur
Ron, bashkëpunëtor i vjetër i Dallas, nuk arrin ta mbledhë veten. I kontaktuar nga mediat italiane përmes telefonit, i mbytur nga lotët, ka qenë e pamundur t’i shkëpusnin ndonjë fjalë. Lajmi ka ardhur i papritur për të gjithë kolegët e tij këngëtarë e autorë, të cilët kanë shprehur dhimbjen e tyre përmes mesazheve të ngushëllimit për gazetarët, apo në faqet e tyre në rrjetet sociale Facebook, apo Tëitter. “Një lajm si një rrufe, një boshllëk, tek i cili nuk dua të besoj”, shprehet Ornella Vanoni. “Ndihemi papritur pjesë e një familjeje të madhe, ku do të mungojë kryefamiljari. Sepse i tillë ishte Lucio Dalla, do të shprehej Vasco Rossi. “Lucio Dalla ishte njëri prej njerëzve më të lirë mes atyre që kanë shkruar këngë, në historinë tonë:, thotë Liganue. “Ishte gjenial”, komenton Claudio Baglioni. Nuk mungon edhe një mesazh ngushëlli edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano. “Ishte një autor e një zë i fortë dhe origjinal, që ka kontribuar për të rinovuar dhe promovuar muzikën italiane. Për mua personalisht më janë të shtrenjta kujtimet nga takimet tona, ndër të tjerat i fundit, në Bolonjë, për një iniciativë bamirësie”.
Karriera
Lucio Dalla lindi më 4 mars 1943 në Bolonjë të Italisë. Në vitin 1964 debutoi në muzikë, falë interesimit dhe ndihmës së Gino Paolit. Në vitin 1970 arriti suksesin e parë si kompozitor, me këngën “Occhi di ragazza” të kënduar nga Gianni Morandi. Viti 1971 mund të konsiderohet si fillimi i karrierës së tij brilante, e cila do të shënonte vetëm rritje. Ndër këngët më të njohura të Dallës janë: “Gesù bambino”, “Piazza grande”, “Il gigante e la bambina”, “Itaca”, “Caruso”, “Caro amico ti scrivo” etj. Prej vitit 1974 deri në 1977 bashkëpunoi shumë me poetin Roberto Roversi, duke realizuar albume mjaft të suksesshme si “Il giorno aveva cinque teste”, “Anidride solforosa” dhe “Automobili”. Në vitin 1977, me publikimin e albumit “Come è profondo il mare”, Dalla debuton edhe si autor tekstesh. Ka thyer rekorde me këngët, albumet dhe turet e tij, duke u bërë i njohur në të gjithë botën.

Pak kohë më parë Dalla flet për jetën dhe vdekjen
Lucio Dalla: Vdekja është fundi i pjesë së parë

Lucio Dalla ishte një besimtar, ndoshta si ata të kohës së Mikelanxhelos. Ai e jetonte Zotin. I besonte më shumë gjërave që nuk shihen, madje ato sipas tij ishin më shumë. Në një intervistë të pak kohëve më parë për revistën italiane “IO”, ai flet për dashurinë dhe besimin.

Mund të flasim për dashurinë, si thoni?
Ka një fill të kuq, një lloj misteri religjioz te dashuria. Unë gjithmonë kam bërë shumë kujdes në kërkimin e pjesës shpirtërore te dashuria.
Si do ta përkufizonit dashurinë?
Është një proces rikrijues absolut. Dashuria dhe jeta shkojnë bashkë.
Po jeta çfarë është?
Është diçka e jashtëzakonshme. Çdo lloj sistemi jete. Është elementi ku misteri, transhedenca marrin pjesë më shumë.
Flisni si një besimtar, që kur besoni në Zot?
Besimi nuk lind tamam nga arsyeja. Mekanizmi i të besuarit është brenda nesh. Është një rigjenerim të besosh. Unë jam besimtar. Jam i gatshëm të besoj. Madje nuk arrij t’i kuptoj ata që nuk besojnë. Unë besoj se vdekja është vetëm fundi i pjesës së parë.
I keni menduar gjithmonë këto gjëra?
I kam besuar gjithnjë. Ka qenë një zhvillim i vazhdueshëm dhe gjithnjë ka mbetur kjo lloj habie përballë misterit. Besoj më shumë në gjërat që nuk i shoh se në ato që i shoh. Ajo që nuk shohim është më shumë. Nuk jam një mendimtar, ama kam parë shumë.
Duke parë jetën tuaj?
Edhe. Luaja me Chat Baker dhe isha 16 vjeç, e dini çdo të thotë për dikë që ëndërronte vetëm të bëhej muzikant? Jam me fat, por gjërat nuk janë edhe kaq të thjeshta.
Dhe suksesi ju ka ardhur me një këngë mbi Krishtin…
Nuk ka lidhje. Nuk e njihja fare Paola Pallottinon. Ajo erdhi të më kërkonte në Tremiti, ku isha me pushime dhe më këshilloi këtë tekst. Erdhi atje bashkë me dy vajzat e saj të vogla. Më vuri ta fërshëlleja. Pastaj më vuri ta këndoj. Kur e dëgjoi, nisi të qante. Nisi kështu, gjithçka ishte rastësore. Por duket se kjo rastësi është më precize. Është si parfumi, ka rregullat e veta, duhet vetëm të jesh i kujdesshëm ta kapësh. Dhe të mendosh që unë nuk di asnjë notë muzikore…
Po e teproni…
Ju betohem. Kam vesh. Kur bëra “Pulçinelën” e Igor Stravinkij e ndjeja se mungonte një lloj uverture dhe e realizova. Por është diçka që e kam bërë me vesh.
Është si të thuash që jeta vlerëson cili e meriton, apo jo?
Jo. Vlerëson kush kupton. Kush është i ndërgjegjshëm për atë që ka.
Por, keni qenë ju që e keni bindur Morandin të besojë në Zot?
Jooo! Kemi folur për këtë gjë. U bë kurioz duke parë që unë isha besimtar. Duhet falënderuar Zoti kur ndryshojmë: ndryshimi është shenjë e vazhdimësisë së ekzistencës.
Ç’mendoni për Papën Ratzinger?
Nuk e ndjej të flas mirë, por as keq. Kam lexuar librat e tij. Më duken të lodhshëm. Ka një dimension të jetuarit të besimit, që është më shumë prej teologu, se prej besimtari.
Për Vojtilën?
E kam takuar disa herë. Më pëlqente shumë, ishte jashtë kodeve.
Ç’mendon një si ju për divorcin dhe abortin?
Mendoj se aborti është një dramë e duhet përballur me një sjellje më të thellë se sa me dogma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›