Provimet e lirimit, caktohen datat
Ministria e Arsimit publikoi datat dhe mënyrën se si do të zhvillohen provimet e lirimit. Në udhëzimin që mban firmën e ministrit Tafaj, janë caktuar të gjitha procedurat për të garantuar mbarëvajtjen e tyre. Nxënësit do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për secilin nga provimet. Gjuhën shqipe ata do ta japin më 17 qershor, ndërsa provimit të matematikës do ti nënshtrohen më 23 qershor. Sipas udhëzimit të fundit të nxjerrë nga MASH, testimi do të nisë në orën 10 dhe nxënësit duhet të paraqiten në shkollë 1 orë më parë. Në shkollat e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) zhvillohet Provimi i Lirimit në gjuhën amtare. Për shkollat e pakicës kombëtare greke, teza do të përgatitet nga DAR Gjirokastër. ZA Delvinë dhe ZA Sarandë tërheqin në DAR Gjirokastër tezën në ditën e provimit, thuhet në udhëzimin e fundit të MASH-it. Sipas tij, për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase teza përgatitet nga drejtoritë arsimore të Korçës dhe tërhiqet ditën e provimit nga drejtori i shkollës, i shoqëruar nga përfaqësuesi i DAR Korçë. Rregullorja e provimeve të lirimit është e ngjashme me atë të provimeve të maturës shtetërore. Së u përket ambienteve se ku do të zhvillohen Provimet e Lirimit, MASH ka vendosur që si mjedise të Provimeve të Lirimit të shërbejnë vetëm shkollat publike. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë drejtorive arsimore ose zyrave arsimore skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota. Pas çdo provimi, dërgohet skema e vlerësimit në komisionin shkollor të provimeve të lirimit, e cila afishohet dhe informon çdo nxënës për të. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga DAR/ZA, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Ndërkaq, DAR/ZA ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Së fundi, nga sa përcakton rregullorja, shpallja e rezultateve do të bëhet jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi. Për të gjithë nxënësit e klasave të nënta, mësuesit, apo prindërit e interesuar, më poshtë po botojmë një model të provimeve të lirimit që është aplikuar një vit me parë.
Si aplikojnë maturantët nga jashtë
Gjuha shqipe do të jetë kushti kryesor për të gjithë ata kandidatë që duan të vazhdojnë shkollën e lartë në Shqipëri. Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin për procedurat e njësimit të diplomave të shkollave të mesme dhe regjistrimin në Maturën Shtetërore të personave që kanë mbaruar jashtë gjimnazin. Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit, që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, thuhet në udhëzim. Sipas tij, kandidatët do të kenë afat deri në maj për të dhënë provimin e gjuhës. Nga ky detyrim do të përjashtohen të gjithë ata shtetas, të cilët kanë vazhduar studimet në shkollat e mesme që kanë program mësimor në gjuhën shqipe, ose ata shtetas që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar të Maturës Shtetërore.