E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona triumfon ndaj LeverkusenLioni mposhti Apoel Nikozian

Faza e 1/8-ave në Champions League ka nisur me fitoret e dy skuadrave favorite. Barcelona triumfoi me rezultatin 3-1 në fushën e Bajer Leverkusen, ndërsa Lioni mposhti 1-0 APOEL Nikozian.
Fitorja e Barçës mund të cilësohet mrekulli, edhe pse kjo mund të tingëllojë si blasfemi. Në fakt, fitorja në Leverkusen nuk është asnjëherë e sigurt, pasi skuadra e Robin Dut ka një kontingjent mjaft cilësor dhe këtë e ka treguar në fazën e grupeve.
Pa Pike në mbrojtje dhe me Ksavin, që u dorëzua vetëm pak çaste përpara ndeshjes, Barça nuk e kishte edhe aq të lehtë pavarësisht dominimit të dukshëm në minutat e para, por gjithsesi duket praktikisht në çerekfinale.
Katalanët, zhbllokuan rezultatin në të 40-ën, me rrjetën e Aleksis Sançez, që shfrytëzon asistin e Mesit dhe në gabimin e parë të mbrojtjes gjermane e dërgon topin në rrjetë.
Në fraksionin e dytë të lojës, Leverkusen vendos të sulmojë dhe arrin të godasë Barcelonën. Në të 51-ën, vendasit barazuan rezultatin me Kadlek, që dërgon në rrjetë një harkim të Korlukas.
Por, festa e vendasve zgjati shumë pak, pak Sançez realizoi golin e dytë. “Nino Maravija” fiton duelin e shpejtësisë me kundërshtarët dhe pasi kalon portierin Leno e dërgon topin në rrjetë.
Por, Bajeri nuk dorëzohet dhe sulmon, me Gonzalo Kastron që ishte I pafat në të 64-ën, pasi godet shtyllën. Në anën tjetër, edhe festa e Mesit prishet nga shtylla, megjithatë, në të 88-ën, “pleshti” gjen rrugën e rrjetës. Argjentinasi bën gjithçka vet, duke shërbyer Dani Alves, ndërsa më pas shënon pas pasimit bujar të mbrojtësit brazilian.
Me këtë rrjetë, Mesi thyen rekordin e golave të shënuar në fazën me eliminim të drejtë për drejtë në Champions League. Ai ngjitet në kuotën e 19 golave dhe lë mbrapa dy goleadorë si Raul e Andrij Shevçenko në kuotën 18.
Në ndeshjen tjetër të së martës, të luajtur në stadiumin “Gerland”, Lioni respekton parashikimet duke thyer 1-0 surprizën e APOEL Nikozias. Rezultati I ndeshjes u vendos nga goli I Aleksandre Lakazet në të 58-ën.
Por, pavarësisht dominimit në lojë, francezët nuk arrijnë të shënojnë edhe golin e sigurisë dhe tashmë udhëtojnë drejt Qipros me një fitore minimale, që gjithsesi nuk jep garanci për kualifikimin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›