E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet shkrimtari Gjergj Zheji në moshën 84-vjeçare



Ka ndërruar jetë dje në mesditë në moshën 84 vjeçare Gjergj Zheji, shkrimtari, përkthyesi, studiuesi i letërsisë dhe kulturës shqiptare. Gjergj Zheji ka qenë i pari studiues që ka realizuar një monografi për jetën e Andon Zako Cajupit. Në punën e tij spikasin studimet për metrikën shqipe, me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folklorin, një varg shkrimesh kritike. Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend mirë nga lexuesi shqiptar përmenden “Rinoceronti” nga Eugene Ionesco, “Përallat e Car Sulltanit” nga Aleksandër Pushkin, “Metafizika e dashurisë” nga Artur Shopenhauer, “Ekzistencializmi është humanizëm” i Zhan Pol Sartit, “Aventurat e Hekelber Flintit” i Mark Tuein, etj. Ai ka dhënë një kontribut të madh në hartimin e shumë librave të antologjisë së letërsisë bashkëkohore shqiptare e më gjerë, deri te Leximi Letrar. Nën kujdesin e Ministrisë se Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sot me 11.06.2010 nga ora 12.00-13.00 zhvillohet ceremonia e homazheve
për nder të personalitetit të njohur të kulturës dhe të letrave shqipe, profesorit studiuesit dhe shkrimtarit Gjergj Zheji. Ceremonia zhvillohet në hollin e Teatrit Operas dhe Baletit.
Topi ngushëllon familjarët e Gjergj Zhejit
Presidenti Bamir Topi i ka dërguar dje një mesazh ngushëllimi familjarëve të Gjergj Zhejit. "Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Gjergj Zhejit, njeriut që gjithë jetën dhe veprën e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik e patriotik të përkthimit dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar" thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kreut të shtetit. Më tej presidenti thekson se kjo figurë e shquar dhe me vlera unikale në përkthimin, hulumtimin dhe studimin rrënjësor të kryeveprave të letërsisë dhe gjuhësisë botërore shqiptare përçoi tek lexuesit dhe studiuesit e kësaj fushe, me një ndjenjë të lartë profesionalizmi dhe besnikërie, vlerat më të spikatura të gjuhës shqipe dhe letërsisë globale."Me humbjen e Gjergj Zhejit, letërsia dhe gjuha shqipe e lëvruar humbën një ndër kolosët e saj, kolegët një ndër pikat kryesore të referimit akademik dhe njerëzor dhe familja njeriun më të shtrenjtë. Ju lutem, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe në këto momente të vështira ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›