E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zorba”, baleti që prek për herë të parë skenën shqiptare



Izaura Ndoj
Sezoni artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të mbyllet më një nga kryeveprat ballkanike “Zorba”, e cila është cilësuar si vepra më e rëndësishme e baletit grek. Premiera “Zorba”, e cila ka prekur skenat botërore vjen për herë të parë në skenën shqiptare të operas. Me muzikë të Mikis Theodorakis, dhe libret të Nikos Kazanzaqi, baleti koral me dy akte vjen në skenën shqiptare nga koreografi Arjan Sukniqi, i cili së bashku me artistët e TKOB, por dhe të tjerë të ftuar kanë nisur provat për të sjellë në skenë baletin premierë “Zorba”. Veç solistëve shqiptarë në këtë kryevepër botërore që mbyll dhe sezonin artistik në TKOB, janë të ftuar dhe dy balerinë të njohur shqiptarë, por që prej gati dy dekadash jetojnë dhe punojnë në Greqi. Janë pikërisht balerinët e njohur Altin Koruti në rolin e Zorbës dhe Bledi Latifi në rolin shkrimtarit Xhon. Vepra e rëndësishme e baletit grek, “Zorba”, ka angazhuar në interpretim, solistët Erisa Gina, Jonida Onuzi, Elona Nallbani, Dion Gjinika, Odeta Dishnica, trupën e baletit, korin dhe Orkestrën Simfonike të T.K.O.B. Vështirësia e kësaj vepre është pjesa kontemporane pasi është e ndërthurur me elementë të veçantë të baletit të stilit grek, ku i dallojnë disa veçori. Ngjarja e kësaj vepre ndodh në Kretë (Greqi), ku dihet se vepra të tilla që kanë dhe karakter historik e mistik kanë shumë vështirësi. I pyetur rreth detajeve të premierës koreografi Arjan Sukniqi tha se “Ky është një balet filozofik, ku në temën e saj është i ndërthuru një antagonizëm mes dy mentaliteteve. Dy mentalitete, që nisen nga një pikënisje, që do të thotë që kjo ka lidhje me jetën, më mënyrën se si e shikojmë jetën, se si e përballojmë atë. Në fund është ideja se kush e shijoi më shumë këtë jetë, ky që e pa me syrin pragmatist apo ky që e pa me syrin praktik”. Premiera vjen në datat 24-26-27-29-30 qershor 2010, ora 18.00.
Subjekti
Ngjarjet zhvillohen në ishullin e Kretës. Kreta është zona me zakonet dhe traditat më të forta në Greqi. Personazhi kryesor i baletit, Zorba, një fshatar i pashkolluar por me një inteligjencë natyrore të lindur, i cili me mençurinë e tij karakterizohet një nga heronjtë popullorë të Greqisë. Zorba e quan jetën dhuratë nga perëndia dhe në sajë të mençurisë së tij, kërkon që këtë jetë ta shfrytëzojë në të gjitha mënyrat duke shpalosur një prakticizëm perfekt dhe duke gjetur zgjidhje në favor të tij për çdo situatë të jetës që i krijohet. Rastësisht ai takohet në ishullin e Kretës me Xhonin i cili është një intelektual i shkolluar në perëndim, ku e ka të pamundur që të përshtatet me ambientin që gjen në Kretë. Takimi i tyre i rastësishëm krijon një lidhje të gjatë ku të dy personazhet shpalosin karakterin e tyre. Njëri është pragmatist, kurse Zorba mbetet një prakticist i thekur. Ndonëse ato krijojnë një lidhje biznesi së bashku, edhe pse dështojnë në biznes, Xhoni që ka investuar për këtë biznes, nuk e quan humbje, por quan fitore të madhe sepse e njohu me Zorbën, i cili u përpoq ta përshtaste Xhonin me ambientin e egër të Kretës. Gradualisht ata eksplorojnë të gjithë vendin dhe përballen me situata të cilat zhvillojnë subjektin e shfaqjes. Xhoni rastësisht, bie në dashuri me njërën nga vajzat e fshatit, me Marinën, por kjo dashuri nuk shihet me sy të mirë nga fshati, pasi në ligjet vendore nuk lejohet që vajzat e fshatit të lidhen me njerëz të huaj dhe aq më tepër që Marina pëlqehet edhe nga Maloniosi i cili është i pari i fshatit. Ky i fundit, përpiqet të bindë të tërë fshatin që kjo dashuri është e papranueshme për zakonet e vendit, duke u munduar gjithmonë që ta pengojë këtë dashuris të sapolindur. Ndërkohë në tavernën e fshatit, gjendet edhe një zonjë, Madame Ortanca e cila prej shumë vitesh ka hapur një tavernë. Këtu njihet Zorba me Madame Ortancën. Megjithëse të dy në moshë të madhe, shkëndija e dashurisë që lind është fortë. Madje ata vendosin të martohen. Zorba, pasi vjen nga një udhëtim i largët disa ditor, sjell dhurata për të gjithë fshatin dhe në veçanti për Madame Ortancen, të cilës i sjell dekorin e një dasme madhështore. Ndërkohë, me Marinën kanë filluar problemet e mëdha në fshat, pasi Malionosi, ka ngritur të gjithë fshatin në këmbë duke kundërshtuar dashurinë e saj me Xhonin. Fshati merr vendimin që kjo duhet të vdesë. Dhe pikërisht gjendet momenti kur këta janë bashkë, dhe fshati në mënyrë të dhunshme i merr jetën Marinës. Dëshpërimi i Xhonit është i pamat dhe Zorba mundohet ta qetësojë, duke i dhënë shpresë për të ardhmen. Ndërkohë nga kjo situatë që i ndodhi Xhonit, Zorbës i fanitet në ëndërrimet e tij sikur edhe dashurisë së tij, vdekja kërkon t’i marrë Ortancën. Ndërkohë që pikëllimi kalon tek Zorba, Xhoni optimist tashmë i shprehet se jeta vazhdon dhe duhet shijuar.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›