E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shultz: Reforma Zgjedhore, kushte të barabarta për të gjitha partitë

Presidenti i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian, Martin Shultz, priti dje në një takim në Gjermani, krerët e koalicionit 

“E Majta për Integrim”, kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, kryetarin e PDS-së, Paskal Milo si dhe kreun e PAD-së, Neritan Ceka. Gjatë këtij takimi, drejtuesit e opozitës e njohën zotin Shultz me shqetësimet që kanë ardhur si pasojë e zhvillimeve të fundit politike, veçanërisht nga kolapsi institucional që është krijuar dhe ku po zhytet vendi, nga ndryshimet arbitrare të Kushtetutës të bëra natën e 21 prillit.
Meta, Milo dhe Ceka e falënderuan presidentin e grupit parlamentar socialist në PE, për të gjithë përpjekjet e tij në funksion të fuqizimit dhe konsolidimit të demokracisë në Shqipëri dhe integrimit në BE. Ata vlerësuan edhe interesimin e vazhdueshëm të z.Shultz për zhvillimet brenda spektrit të majtë të politikës shqiptare. Nga ana e tij, z.Shultz vlerësoi përpjekjet konstruktive të këtyre forcave opozitare për të mbrojtur Kushtetutën dhe shtetin ligjor, duke kërkuar që t’i jepet e drejta popullit që të japë verdiktin e tij për ndryshimet jotransparente që iu bënë Kushtetutës së Shqipërisë.
Gjithashtu, z.Shultz kërkoi hartimin e një Reforme Zgjedhore, që të garantojë zgjedhje të ndershme dhe të standardeve të lira dhe demokratike. Ai kërkoi që Reforma Zgjedhore nuk duhet të synojë të jetë në kurriz të asnjë force politike, përkundrazi duhet të krijojë kushte të barabarta për të gjitha partitë për të zhvilluar një garë të ndershme elektorale. Krerët e koalicionit “E Majta për Integrim” e ftuan z.Shultz që të bëjë një vizitë në Shqipëri, për t’u njohur nga afër me problemet që janë krijuar nga dhunimi i Kushtetutës dhe presionet e maxhorancës ndaj institucioneve të pavarura, si dhe përpjekjet e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës për të garantuar të drejtën e popullit për t’u shprehur përmes referendumit.                         a.l.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›