E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumë shpejt, bregdeti i Durrësit do jetë imun ndaj ujërave të ndotura

01-04-2012 / Gazeta 55

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi inspekton punimet për ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në Durrës

“Në vjeshtën e këtij viti, bregdeti i Durrësit nuk do të përballet më me ujerat e zeza në det”. Kështu u shpreh dje ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen pranë Malit të Robit, 6 km në jug të qytetit të Kavajës, një investim i përgjithshëm për gjirin bregdetar të Durrësit që shkon në 20 milionë euro.
Sipas Olldashit, çdo metër i urbanizuar i kësaj sipërfaqeje do të lidhet me magjistralin e ujërave të zeza, të cilat më pas do të përpunohen në impiantin e pastrimit pranë këtij qyteti. Ministri Olldashi tha se po shkon drejt fundit faza e parë e punimeve për ndërtimin e magjistralit kryesor për ujerat e zeza në zonën bregdetare të Kavajës, ndërsa brenda vjeshtës së këtij viti, bregdeti i Durrësit s’do rrezikohet më nga ujërat e ndotura.
“Punimet me vlerë 4.3 milionë euro, që parashikojnë ngritjen e një sërë stacionesh pompimi nga Përroi i Agait deri në plazhet e Malit të Robit, do të përfundojnë brenda muajit prill. Pas fazës së parë, do të nisë një tjetër investim për ndërtimin e kanalizimeve sekondare dhe terciale dhe lidhjen e tyre me magjistralin kryesor. Plazhet e gjirit detar të Durrësit në vjeshtën e këtij viti nuk do të rrezikohen më nga ujërat e ndotura, falë një investimi të përgjithshëm prej rreth 20 milion euro, që vazhdon të zbatohet edhe në rrethin e Kavajës”, u shpreh Olldashi.
Ndërkaq, Olldashi shtoi se ka përfunduar tenderimi i një financimi të qeverisë shqiptare me vlerë 4 milion euro, që do të shërbejë për shtrimin e sistemit të kanalizimit sekondar dhe terciar të kësaj zone.
Sipas ministrit Olldashi, nga ky projekt do të përfitojë edhe qyteza e Golemit, megjithëse ajo nuk bën pjesë në vijën bregdetare.
E njëjta procedurë zbatimi po kryhet edhe në pjesën veriore të bregdetit të Durrësit, nga Përroi i Agait deri në plazhin tradicional të qytetit turistik, ku vijojnë paralelisht punimet për shtrimin e sistemit të kanalizimeve si dhe për stacionet e pompimit. Stacionet e pompimit në pranë Malit të Robit, janë pjesë e investimeve të qeverisë të cilat po shtrihen përgjatë bregdetit nga Durrësi deri në Kavajë.
Në zonën nga Përroi i Agait deri në Qerret janë ndërtuar 5 stacione pompimi të ujërave të zeza, të cilat bëjnë të mundur dërgimin e të gjithë ujërave të zeza të kësaj zone në impiantin e përpunimit të ujërave të ndotura të Kavajës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›