Shumë shtete në botë ndihma për Pakistanin e përmbytur
Me dhjetëra qeveri në mbarë botën janë solidarizuar me fatkeqësinë më të madhe që përfshiu Pakistanin gjatë dy javëve të kaluar nga përmbytjet masive. Turqia vendosi t'i akordojë Pakistanit të përfshirë nga përmbytjet katastrofike një ndihmë në natyrë dhe financiare me vlerë të përgjithshme prej 11 milionë dollarë,njoftoi Ministria e Jashtme turke.
Dërgimi drejt Pakistanit i 140 tonë ndihmave humanitare me vlerë një milion dollarë ka filluar tashmë ndërkohë që Turqia ka dhënë edhe më parë një ndihmë prej pesë milionë dollarësh për këtë vend, shtoi i njëjti burim në një komunikatë.
Më tepër se 20 milionë dollarë janë mbledhur në Arabinë Saudite në ditën e parë të një fushate ndihme për Pakistanin e shkatërruar nga përmbytjet, njoftoi agjencia zyrtare saudite SPA.
Mbreti Abdallah e filloi fushatën me dhurimin e 20 milion rijalëve (5,33 milionë dollarë), që u pasua nga princi trashëgimtar dhe ministër i Mbrojtjes Sulltan ben Abdel Aziz i cili dha 10 milionë. Ndërkaq edhe qeveria afgane njoftoi ditën e marte se do të dhurojë një ndihmë modeste prej një milion dollarësh për viktimat në Pakistan, pas thirrjes së OKB-së së shqetësuar për mobilizimin e ngadaltë ndërkombëtar.
"Përmbytjet e fundit kanë shkaktuar shkatërrim në vendin tonë fqinjë, Pakistanin, mijëra njerëz janë vrarë e miliona janë prekur. Qeveria jonë shpreh mbështetje për popullin e Pakistanit dhe jep si ndihmë një milionë dollarë", deklaroi Ministri i Financave afgane Omar Zakheilëal në një konferencë për shtyp. Por ndërkohë edhe shtetet perëndimore kanë filluar shpërndarjen e ndihmave për Pakistanin e përmbytur. Pas ndihmës së SHBA-së edhe qeveria gjermane ka informuar se do të japë një ndihmë të konsiderueshme financiare dhe ushqimore për zonat e përmbytura në Pakistan. Por ende nuk është një shumë e saktë për ndihmën e akorduar.