E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si dështoi dialogu Kosovë-Serbi

Edita Tahiri thotë se Unioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e palës serbe që të diskutohet për pikat kufitare në Veri të Kosovës. Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 12:36

(E plotësuar) Shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka dhënë arsyet e saj për dështimin e dialogut të sotshëm në Bruksel.

Ajo thotë se Unioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e palës serbe që të diskutohet për pikat kufitare në Veri të Kosovës.

“Përfaqësuesit e BE’së dhe SHBA’ve njoftuan delegacionin e Kosovës për bisedat e zhvilluara me përfaqësuesin e palës serbe, z. Stefanovic, si dhe për refuzimin kategorik të kërkesës së Serbisë për të përfshirë në agjendën e dialogut çështjen e pikave doganore”, thuhet në një komunikatë të Kabinetit të Edita Tahirit.

Sipas kumtesës, BE dhe SHBA i kanë dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për vendosjen e kontrollit kufitare e doganore në pjesën Veriore.

“Nga ana e saj, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri siguroi partnerët europianë dhe amerikanë se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për realizimin e vizionit euro-atlantik për shtetin e Kosovës dhe për mbrojtjen e interesave nacionale të vendit tonë”.

Sipas kumtesës, në takimin e zhvilluar mes Edita Tahirit, Robert Cooperit dhe Philip Reeker është konstatuar faji që ka Serbia për dështimin e këtij takimi.

“Në vazhdim të takimit zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shtroi çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve të arritura si dhe dorëzoi Raportin Zyrtar të Qeverisë së Kosovës për situatën e implementimit. Ajo theksoi se pala e Kosovës ka qenë dhe mbetet e angazhuar për suksesin e dialogut teknik por konsideron se çelësi i suksesit të dialogut është
implementimi i marrëveshjeve”.

Delegacioni i Kosovës kërkoi nga ndërmjetësi z. Cooper, që Bashkimi Europian të bëjë vlerësimin zyrtar të ecurisë së implementimit të marrëveshjeve si dhe të vlerësojë drejtë përformancën e palëve në dialog.

“Kosova ka qenë palë konstruktive gjatë gjithë procesit, si në arritjen e marrëveshjeve ashtu edhe në zbatimin e tyre, andaj delegacioni i Kosovës kërkoi që ky konstruktivitet dhe seriozitet i Qeverisë së Kosovës të rezultojë me përparimin substancial të Kosovës drejtë Bashkimit Europian, ashtu siç parasheh Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së për dialogun. Konkretisht delegacioni i Kosovës kërkoi që Kosova për arritjet e saja në dialog duhet të marrë marrëdhëniet kontraktuale me BE’në dhe pret që BE të marrë vendim sa më shpejtë për këtë”, thuhet në kumtesë.

Cooper: Nuk vazhdojmë me dialog, sherri i Serbisë

BE ka njoftuar se delegacioni serb nuk ka qenë i gatshëm të vazhdojë sot dialogun me Prishtinën.

Ndërmjetësuesi Robert Cooper, përmes një kumtese për media, ka njoftuar për vendimin e Beogradit.

“Dialogu sot nuk është zhvilluar, sepse delegacioni serb nuk ka qenë i gatshëm të procedojë me diskutimet sot. Situata në portat doganore, në pjesën veriore të Kosovës, nuk është pjesë e dialogut e as subjekt i çfarëdo negociate të veçantë me Serbinë”, ka thënë ai.

Cooper ka shtuar se në takimin e sotshëm kishte qenë e paraparë të diskutohet për energjinë, telekomunikacionin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale.

“Palët po ashtu është dashur të bisedojnë edhe për implementimin e marrëveshjeve paraprake, të arritura gjatë dialogut në Bruksel”, ka thënë Cooper.

Sipas tij, dialogu do të vazhdojë kur pala serbe të jetë e gatshme për t’u riorganizuar.

“Qëllimi i procesit mbetet diskutimi i çështjeve që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve dhe sjelljen e palëve më afër BE’së”, ka thënë Cooper, përmes një kumtese për media.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›