E Diel, 1 Nëntor 2026

Si dështoi seanca e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, PD e PS fajësojnë njëri-tjetrin

Palët Bushati: Kriza politike shtyu miratimin e rezolutës. Beja: PS synoi të bllokonte vizat

Dy forcat më të mëdha politike fajësuan njëra-tjetrën për shtyrjen e votimit për rezolutën e Shqipërisë në fillim të muajit maj. Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, thotë se “çështja u shty për shkak të krizës politike dhe derisa kriza të mos jetë zgjidhur, nuk do të ketë asnjë shenjë pozitive për Shqipërinë”. Bushati theksoi se Bosnja arriti të miratojë rezolutën e saj, ndërkohë që Shqipëria ende jo. Nga ana tjetër, demokratët fajësojnë opozitën. “Deputetët e opozitës në këtë takim nuk lanë element pa përdorur për të nxirë situatën në Shqipëri. Nëse ti shkon me luftën politike të brendshme dhe e çon edhe në Bruksel në një moment të gabuar kur kërkohet presion pozitiv për vizat kjo është e pakuptimtë”, thotë Fatos Beja. Ndërsa socialistët thonë se shkak për shtyrjen e votimit nga muaji maj në fundin e qershorit u bë moszgjidhja e krizës politike, demokratët fajësojnë opozitën se kjo e fundit nuk la argument politik pa përdorur për të shtyrë votimin. Moszgjidhja e krizës politike sjell në Shqipëri kryetarin e Grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Jozef Daul. Ai është edhe një nga negociatorët europianë të takimit të 21 majit në Strasburg të Francës, mes dy liderëve shqiptarë, Sali Berisha dhe Edi Rama, me qëllim zgjidhjen e krizës politike. Daul do të vizitojë vendin tonë javën e ardhshme dhe parashikohet që ta realizojë nga datat 23 - 25 qershor. Parashikohet që kreu i grupit të PPE-së të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Gjithashtu, do të takohet dhe me zv/kryeministrin Ilir Meta. Në njoftimin e faqes zyrtare në internet të PPE-së bëhet e ditur se takimi i Daul realizohet pas përpjekjeve të dështuara për të arritur një marrëveshje ndërmjet mazhorancës dhe opozitës në Tiranë. Ndërkohë që në njoftimin zyrtar nuk është bërë e ditur nëse do të ketë një takim me liderin e opozitës, Edi Rama në Tiranë. Por sipas njoftimeve, kryesocialisti deri më 20 qershor ndodhet në Tiranë, pasi do të jetë prezent në takimin e Internacionales Socialiste, që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Daul së bashku me kreun e PES në PE, Martin Shultz, dhe komisionerin për Zgjerimin e BE, Stefan Fule, zhvilluan bisedime me dy liderët shqiptarë, Berisha dhe Rama, në restorant “Krokodili” të Strasburgut. PD dhe PS u ndanë në negociatat e tyre për shkak të pranimit të çështjes së fletëve të votimit. Pas këtij dështimi, BE-ja u tërhoqi vëmendjen dy partive të mëdha që të gjejnë një kompromis sa më parë. Pesë ditë më parë, me anë të një deklarate, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, pas takimit të Luksemburgut shprehën shqetësimin e tyre për dështimin e negociatave mes Berishës dhe Ramës, të ndërmjetësuar nga dy krerët e grupeve të PPE-së, Daul dhe të PES, Shulz.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›