E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do zgjidhen fituesit në universitete

01/08/2011  APRIAL gati procedurat e llogaritjes së pikëve për 40 mijë garuesit e këtij viti

Maturantët që kanë mbaruar jashtë, kushtet për ekuivalentimin e diplomave

Pranvera Kola

Maturantët tashmë i kanë dhënë fund zyrtarisht çdo procedure për zgjedhjen e degëve ku duan të vijojnë studimet e larta në universitete publike të vendit për vitin e ri akademik 2011-2012. Tashmë të dhënat e depozituara në formularin A-2 me listimin e preferencave për shkollat e larta do të shqyrtohen nga ekspertët në APRAL. Pranë këtij institucioni do të verifikohen të gjitha pikët me të cilat maturantët do të hyjnë në garë për kuotat fituese në universitete. Sipas afateve të përcaktuara, në mesin e muajit gusht do të bëhet shpallja zyrtare e pikëve me të cilat çdo maturant do të hyjë në garë dhe vetëm pas zyrtarizimit të këtyre pikëve, do të nisë edhe renditja nga programi kompjuterik për caktimin e fituesve në të 289 programet studimore që janë aprovuar për këtë vit. Megjithatë, krahas raundit të parë të fituesve, që do shpallen më 11 shtator, do të ketë edhe një raund të dytë pranimesh nëpërmjet të ashtuquajturit formulari A-3. Ky do të jetë një tjetër shans konkurrimi për shkollat e larta publike për sistemin e ditës për një sërë kategorish si mbetësit që shlyejnë detyrimet në sezonin e vjeshtës, ata që nuk fituan asnjë program të listuar nga preferencat e formularit A-2, si dhe maturantët që kanë mbaruar jashtë vendit, por që nuk kanë kryer procedurat e ekuivalentimit të diplomave. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të detajuara të gjitha procedurat për njohjen dhe ekuivalentimin e studimeve të shkollës së mesme që kjo kategori duhet të kryejë pasi të plotësojë formularin e preferencave për universitet shqiptare.

Përzgjedhja e fituesve

Përcaktimi i fituesve ndërmjet maturantëve kandidatë për studime në institucionet e arsimit të lartë publik do të bëhet sipas parimit meritë-preferencë. Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të maturës shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje) dhe për programe studimi të caktuara, të cilat u nënshtrohen konkurseve, rezultatet e tyre. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet 10 preferencave të zgjedhura prej tyre. Për programet e studimit të Akademisë së Arteve, Universitetit të Sporteve merren parasysh edhe rezultatet e konkurseve të pranimit.

Si do të kontrollohen preferencat?

Pas përllogaritjes së rezultatit final për të gjithë aplikuesit APRIAL-i nëpërmjet sistemit kompjuterik bën kontrollimin e preferencave ku kandidati përkatës ka grumbulluar pikët e duhura për t’u shpallur fitues. Fillimisht kontrollohet preferenca 1, nëse aty jeni fitues, aty shpalleni për regjistrim në universitet. Nëse nuk jeni fitues në preferencën 1, kontrollohet preferenca 2 e kështu me radhë deri në preferencën 10. Kandidatët do të shpallen fitues në preferencën më të lartë, në të cilën kanë grumbulluar pikët e nevojshme (kjo preferencë mund të jetë sipas rastit preferenca e parë, e dytë, e tretë e kështu me radhë). “Fitues jeni vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë, edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera. Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Në këtë listë evidentohen dhe fituesit”, citohet nga ekspertët e MASH-it. .

Testimet individuale në mbyllje të muajit gusht

Pranimet në degët që kushtëzohen nga pikët e konkursit

Marrja e pikëve maksimale në konkurs do të përcaktojë edhe kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet e larta pranë Akademisë së Arteve. Sipas rregullores, pjesa speciale zë rreth 70 për qind të peshës së renditjes së kandidatëve fitues për universitetet, ndërsa 30-përqindëshi i mbetur u takon elementëve përbërës të maturës 2011. Për këtë institucion të arsimit të lartë pranimet do të bazohen në konkursin që secili prej tri fakulteteve do të zhvillojë. Kandidatët që do të arrijnë pikët maksimale në testimin special, i cili do të zhvillohet në dy faza, do të jenë dhe në renditje të listës së fituesve sipas kuotave të përcaktuara. Datat e testimit special janë të ndryshme sipas llojit të programit studimor, duke filluar nga 29 gushti deri më 2 shtator. Ndërsa kandidatët që kanë përzgjedhur si degë arkitekturën për ndjekjen e studimeve të larta përveç provimeve të maturës do t’i nënshtrohen edhe konkursit special, i cili gjithashtu do të zhvillohet në mbyllje të muajit gusht. Testimi parashikon tri rubrika: vizatim në natyrë, vizatim teknik dhe kompozim, që janë specifika të degës së arkitekturës.

Rastet kur pikët ju bëjnë fitues

në disa preferenca njëherësh

Skema e përzgjedhjes së fituesve që do të pranohen në universitete publike përcakton se një kandidat me pikët e grumbulluara nga matura 2011 mund ta shohë veten brenda listës së fituesve në disa programe studimi të ndryshme. Megjithatë, rregullorja është tepër koncize lidhur me të drejtën e studimit në të cilën ky kandidat do të pranohet për të vijuar studimet e larta publike. Në këto kushte, ndonëse ky maturant ka mbledh pikët për të qenë fitues në disa degë, ai detyrimisht shpallet fitues vetëm në atë program studimi që i takon preferencës së tij më të lartë në 10 të listuarat. Ajo që ndodhet në krye është dega ku kandidati shpallet përfundimisht fitues.

Shansi me formularin A-3

Rregullat e konkurrimit në universitete për

maturantët që kanë mbaruar jashtë vendit

- Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit kanë të drejtë të

vazhdojnë programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë publik me kohë të

plotë dhe kohë të pjesshme, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm për të vijuar studimet universitare.

Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet

mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë në

Universitetin e Tiranës. Procedura e dhënies së provimit të gjuhës shqipe, programi

dhe tarifa e këtij provimi caktohen nga vetë fakulteti dhe MASH. Provimi i gjuhës shqipe pranë Fakultetit të Histori-Filologji zhvillohet brenda muajit shtator 2011.

- Nga detyrimi i dhënies së provimit të gjuhës shqipe përjashtohen të gjithë shtetasit që kanë vazhduar studimet në shkollën e mesme në institucione arsimore që kanë program mësimor në gjuhën shqipe, ose ata që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar të maturës shtetërore.

- Shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, paraqesin

pranë komisionit të posaçëm nga data 1 deri më 10 gusht 2011 dokumentet e

mëposhtme:

- kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL;

- dëftesën/diplomën origjinale së bashku me listën e notave të të gjitha viteve të

shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara;

- kopje e noterizuar e pasaportës ose e kartës së identitetit;

- dokument zyrtar nga vendi që vjen, i cili vërteton se cikli i studimeve të kryera nga

shtetasit shqiptarë në atë vend dhe profili i shkollës së mesme që kanë përfunduar u japin të drejtën të vazhdojnë studimet universitare ose shkolla të larta jouniversitare në vendin ku kanë studiuar.

- Në rastet kur komisioni i posaçëm vlerëson se dokumentet shkollore të shtetasve

shqiptarë nuk provojnë dhënien e provimeve me zgjedhje të maturës shtetërore, por vetëm ato me detyrim, D1 dhe D2, atëherë ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Në këtë rast shtetasi shqiptar është i detyruar të japë vetëm provimet me zgjedhje.

Për këto raste kandidatët duhet të plotësojnë formularin A-1Z brenda datës 30 gusht, ku caktojnë dy lëndët me zgjedhje që do të japin gjatë sezonit të vjeshtës. Por ka edhe raste të tjera kur komisioni do të kërkojë dhënien e të katër provimeve, duke përfshirë edhe ato me detyrim.

Ndërsa për maturantët që i kanë kryer më parë këto procedura dhe diplomat e tyre janë njohur ekuivalentuar sipas sistemit shqiptar, plotësimin e formularit të preferencave do ta bëjnë nga data 2 deri në 6 gusht, ndryshe nga sa ka ndodhur me kategoritë e tjera, për të cilat janë mbyllur procedurat e plotësimit të preferencave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›