E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi për një automjet të përdorur përcaktohet nga vlera e tregut ndërkombëtar

01/08/2011  Ministria e Financave është duke përgatitur kuadrin nënligjor për pagesën e TVSH-së

Referencat për makinat e përdorura

Një automjet i përdorur do të taksohet me skemën e re të taksave pas muajit shtator. Pritet që kësaj mënyre taksimi t’i nënshtrohen makinat që janë importuar që prej janarit 2011 dhe nuk kanë bërë ende gati dokumentacionin përkatës ose do të hyjnë në territorin e Shqipërisë. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ende po punohet për të përcaktuar aktet nënligjore në lidhje me pagesat e TVSH-së për automjetet e përdorura, ndërsa çmimet e referencës përcaktohen nga ndryshimet që pëson çdo vit çmimi në tregun ndërkombëtar. Ligji tashmë është miratuar në qeveri dhe në parlament dhe pasi të marr firmën e Presidentit pritet vetëm hyrja në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kuadri nënligjor

Skema e re do të aplikohet në momentin e hyrjes në Shqipëri të automjetit të përdorur dhe më pas pagesa e taksës së qarkullimit e përfshirë në grupin e taksave vendore. Kuadri i ri ligjor do të shmangë mundësitë e abuzimeve apo të deklarimit fiktiv të çmimeve që bëhej për të ulur vlerën e pagesës. Vlera e pagesës për automjetet e përdorura me skemën e re do të jetë shumë më e ulët, krahasuar me formulën e mëparshme. Ndërsa çmimet e referencës do të jenë të ndryshueshme nga viti në vit, në bazë të ndryshimeve që pësojnë edhe çmimet e automjeteve në tregun ndërkombëtar. Sipas skemës së re, automjetet me benzinë do të jenë më të favorizuara me skemën e re, sepse ndotja e mjedisit është më e ulët, në krahasim me automjetet që përdorin naftë. Por edhe mes automjeteve me benzinë do të ketë pagesa të diferencuara. Sa më e re që të jetë makina aq më e ulët do të jetë pagesa që do të bëhet çdo vit. Sa i takon automjeteve që kanë mbi 10 vjet përdorim ato do të kenë një tatim më të lartë, gjë që do të ndikojë në uljen e çmimit të tyre në tregun e shitjes së automjeteve të përdorura. Tendenca do të jetë e tillë për të bërë të mundur nxjerrjen e tyre nga qarkullimi dhe favorizimin e blerjes së automjeteve të reja ose me më pak vite përdorimi, në mënyrë që të përmirësohet edhe cilësia e ajrit në vendin tonë. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe me makinat që përdorin naftën. Tatimi për këto automjete do të jetë shumë herë më i lartë.

Detyrimi për pagesën e taksave

Detyrimi për pagimin e taksës vjetore të mjeteve që kanë hyrë nga janari i këtij viti ose do të hyjnë në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të ligjit i ka pronari i mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, do të mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit, të cilat do të marrin komision prej 5% të të ardhurave për këtë shërbim. 10% e të ardhurave nga taksa vjetore e mjeteve të përdorura do t’i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Për mjete të cilat nuk kanë cilindratë nuk do të paguhet taksa e ambientit, siç është tërheqës rrugor apo autokamp, sepse formula është e bazuar në cilindratën e mjetit. Ndërsa mjetet që janë tre vjet të vjetra do të përjashtohen nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura bazuar në faktin se ato janë të reja dhe nuk sjellin ndotje mjedisore. Sipas statistikave, numri total i mjeteve të reja me 0 km të regjistruara gjatë vitit 2010 në DPSHTRR është 3 354 automjete dhe 1 986 motomjete.

Ligji synon uljen e importeve

Skema e re e taksës së makinave do të sjellë një ulje të importit të makinave të përdorura. Taksa e makinave të përdorura në import aplikohet me një formulë të tillë që sa më e vjetër të jetë makina e importuar aq më e lartë do të jetë edhe taksa, me qëllim dekurajimin e individëve në importimin e makinave shumë të vjetra. Sistemi i vjetër i taksimit ndaj makinave të përdorura u cilësua si jo i përshtatshëm në mars të këtij viti nga kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë i kërkoi ministrisë së Financave që kjo taksë të rishikohet, pasi sipas kryeministrit, nuk i shërben njeriu, madje ajo ka bllokuan edhe tregun e makinave. Kjo taksë u ndryshua në mesin e vitit 2010, bazuar dhe në rekomandimet e Komisionit Evropian. Problemet që dolën ishin nga më të ndryshmet, kryesisht në përpjekjet e qytetarëve për të shmangur pagesën e kësaj takse. Vetëm për periudhën janar – korrik 2010 janë bërë 15 652 ndryshime të pronësisë mbi mjetin, me një mesatare mujore prej 2 236 veprime. Ndërsa për periudhën gusht – dhjetor 2010 janë bërë 2 883 ndryshime të pronësisë mbi mjetin, me një mesatare mujore prej 577 veprime. Nga 2 883 mjete që kanë ndryshuar pronësinë, vetëm 1 146 mjete, në zbatim të ligjit nr. 10280 i janë nënshtruar taksës së mjeteve të përdorura. Ulja e numrit të ndryshimeve të pronësisë çoi në rritjen artificiale të mjeteve që qarkullojnë me akte përdorimi, pra pa ndryshuar pronësinë mbi to. Kjo çon në mosnjohjen e pronarëve të vërtetë të mjeteve rrugore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›