E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si i konfiskoi Sigurimi i Shtetit librat e atë Zef Pllumit

I rritur mes librave të çmuar të bibliotekës françeskane, dorëshkrimeve e botimeve të rralla, i konsideruar si nxënës e bashkëvëlla nga françeskanët e njohur Fishta e Harapi, Shllaku, Dodaj, Kurti e Prendushi, fati i atë Zef Pllumit ishte i përcaktuar. Do të ishte shërbëtor i zellshëm i fesë, por edhe një njeri i mbrujtur me kulturë, deri në vdekje i lidhur pas librit.

Si i tillë ai u bë dëshmitar edhe i mohimit që iu bë kësaj kulture në vitet e diktaturës, sulmit të egër ndaj françeskanëve e veçanërisht pasurisë së rrallë të bibliotekës që kishin ngritur me mund, punë të cilën e kishte nisur atë Gjergj Fishta në vitin 1907. Pas rrënimit të kësaj biblioteke më 1926 nga ushtria e Zogut, ai do të shihte rrënimin e dytë më 1946. Atë Zef Pllumi do të provonte edhe burgun, procesverbalet e firmosura nga ai dhe në emër të tij, orët e marrjes në pyetje.

Do të shihte të zhdukeshin edhe qindra libra e dosje nga arkivi i tij personal. Në numrin e ri të revistës “Hylli i Dritës” (Nr. 4) botohet procesverbali i vitit 1970, me anë të të cilit dëshmohet konfiskimi që Sigurimi i Shtetit u bëri të gjitha sendeve personale të atë Zef Pllumit, përfshi edhe librat që kishte vetë dhe ato që ua kishte besuar njerëzve të afërt. Ky procesverbal, që ndodhet në arkivin e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” të Shkodrës, është vënë në dispozicion nga drejtori i saj Gjovalin Çuni, i cili e ka shoqëruar botimin e këtij procesverbali me një shkrim përshkrues, ku tregohet prania e hershme e françeskanëve në Shqipëri, përpjekjet e para të Fishtës për të ngritur bibliotekën që do të bëhej djep i kulturës, pasurimin e saj vit pas viti me botime të rralla, për të ardhur në vitet e vështira të goditjeve të njëpasnjëshme, mësymjet e papritura në të, zhdukjen e shumë botimeve të rralla dhe vepra të çmuara historike e për të arritur në përpjekjet për ta rindërtuar pas viteve ’90.

Në këtë kuadër, Çuni rindërton edhe historinë e jetës së atë Zef Pllumit brenda mureve të bibliotekës françeskane. Siç shënon drejtori i bibliotekës “Marin Barleti”, procesverbali mban datën 21.10.1970. “Në të lexojmë: ‘I mbajtun në Bibliotekën e Shtetit për marrjen në dorëzim nga Dega e P. Mbrendëshme të materialeve të poshtëshënuara, konfiskue të dënuemit P. Zef Pllumi’. Asht një listë e gjatë, rreth 160 njësi, të mbledhuna nga dora e tij e sistemueme në 21 dosje që përmban korrespondenca, folklor, etnografi, studime gjuhësore dhe historike, krijimtari letrare, dorëshkrime origjinale të Fishtës, Gjeçovit, Sirdanit, Rrotës, D’Istrias etj.

Fatkeqësisht të tana materialet e shenjueme në listë mesa duket kanë lëviz nga biblioteka drejt institucioneve të tjera apo kushedi se ku”, shkruan Çuni. Procesverbali është i gjatë dhe i detajuar. Vihet re se ka shumë dorëshkrime nga figura të njohura të kulturës shqiptare si Gjergj Fishta (në këto dosje ka qenë edhe dorëshkrimi i disa këngëve të “Lahutës së Malcis”), deri te botime të autorëve apo historianëve të huaj, herë të përkthyera e herë në gjuhën origjinale. Lexohen në të një sërë studimesh mbi Skënderbeun, të dhëna historike për Shkodrën dhe qytete të tjera të Shqipërisë, të dhëna për ngjarje të caktuara historike, letërkëmbime të Gjeçovit, ditar i Pashko Bardhit etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›