E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Si me torturuan ne Qafe-Gjashte"

Tirane-Ish-inspektori i lagjes "Cole" ne Vlore, Eduart Aliaj, qe fatmiresisht shpetoi gjalle nga masakra e Qafe-Gjashtes ne Sarande ne vitin 1997, ka deklaruar per hetuesit qe nga Italia, ku aktualisht edhe jeton, te gjitha momentet e perjetuara nga kjo ngjarje e rende. Ne seancen e djeshme prokurori i ceshtjes, ka lexuar deklarimet e ish-policit qe i mbijetoi kesaj masakre. "Pasi mbarova shkollen, jam caktuar inspektor i policise se rendit ne Komisariatin e Vlores. Ne mars te vitit 1997, erdhi me takoi shefi i Krimeve te Komisariatit, Sokol Bizhga. Ai po fliste ne telefon nga zyra e informacionit dhe me tha te behesha gati, pasi do te ikja me te ne Sarande. Sokoli me tha se kishte marre detyre nga Ministria qe te shkonte ne Sarande, per te ringritur komisariatin e policise atje, i cili kishte dale jashte funksionit. Sokoli i tha edhe Gjergji Mehmetit, i cili kryente detyren e komandantit te repartit te Policise Vlore dhe Myzafer Blushi, i cili ishte polic qarkullimi. Ne jemi nisur te katert me makinen personale te Myzaferit per ne Sarande".
Mberritja ne Komisariatin e Sarandes
"Kur mberritem ne Sarande, pame qe situata ishte jashte kontrollit, njerezit ishin me arme ne duar dhe ne nuk pame asnje punonjes policie. Shkuam drejt ne komisariat dhe pame se godina ishte e djegur, madje nxirrte tym akoma dhe perpara godines ishin dy furgone policie te djegur. Nuk takuam asnje punonjes policie, as ne komisariat dhe as aty afer. Pas kesaj, shkuam deri te porti dhe pame se njerezit ishim mbi anije dhe te armatosur. Pas kesaj u kthyem prape per ne qender. Sokoli i raportoi per gjendjen ne Sarande, zevendesministrit te brendshem Agim Shehu. Ky i fundit i kishte thene qe te mundoheshim te benim ndonje gje, te organizonim ndonje postbllok dhe nese kjo ishte e pamundur te ktheheshim ne Vlore. Sokoli na tha se kishte vendosur te ktheheshim. Porsa morem maloren per te dale ne Qafe-Gjashte, na ka prere rrugen nje makine tip "Benz 190" ngjyre boje qielli dhe frenoi direkt para makines sone, duke na bllokuar rrugen. Ne makine ishin tre persona. Nga makina ka dale nje person i armatosur qe drejtoi armen drejt nesh. Ai mbushi armen dhe kur na u afruan pyeti: "Cfare jeni ju?". Sokoli i tha: "Jemi te Policise se Vlores". Doli nga makina dhe e carmatosi, i kapi automatikun. Pas kesaj, une dhe Gjergji dolem menjehere nga makina dhe Sokoli me Gjergjin futi personin qe na drejtoi armen ne makinen tone. Me vone kam marre vesh se ky person quhej "Bubeqi". Pas kesaj, Gjergji qelloi me arme automatike ne ajer per presion. Une u drejtova per tek makina e tyre, mora personin e dyte dhe e futa ne makinen tone. Gjate kesaj kohe, shoferi i tyre iku me shpejtesi ne drejtim te Qafe-Gjashtes", deklaroi Aliaj.
Perplasja me grupet e armatosura
"U nisem perseri ne drejtim te Qafe-Gjashtes. Pas disa minutash, tek karburanti ne krah te djathte te rruges ne Qafe-Gjashte dalluam disa persona te armatosur, 10-15 veta, te shperndare perpara karburantit. Ne momentin qe une dallova keta persona isha rreth 40 metra larg makines se pare. Pashe se makina e Myzaferit u parkua mbrapa nje mauneje te parkuar, pa hyre ne karburant dhe ne kohen qe ka mberritur makina jone, grupi i armatosur po qellonte per paralajmerim. Une kam hapur deren e makines ku ndodhesha, kam zene pozicion dhe kam tentuar te qelloj edhe une ne ajer per paralajmerim, por automatiku nuk funksionoi. Une pashe se njeri nga dy personat qe ishte ne makine me Sokol Bizhgen, qe na prene rrugen pak me pare, doli nga makina dhe iku ne drejtim te grupit duke bere shenja me duar. Sokoli dhe Gjergji qelluan me automatik ne ajer per paralajmerim. Madje, pashe se Sokoli hodhi nje granate dore mesymese, degjova zhurmen, por nuk e pashe se c'drejtim e hodhi. Ne kohen qe personi eshte bashkuar me grupin e armatosur, ata qelluan me me shume intesitet ne drejtimin tone. Ne kete kohe une kam degjuar Gjergjin qe therriste: "U plagosa, me nisni ne spital", ai ishte brenda ne makine ne kete kohe. Une ne keto momente ndodhesha ne makine e dyte, ne krahun e pasagjerit. Pas pak kam pare Sokolin qe u largua per nga krahu i majte i rruges dhe ne kete kohe edhe une kam kapercyer murin ne krahun e djathte e jam fshehur tek disa pisha".
Torturat cnjerezore
"Pas kesaj une dola nga vendi ku isha fshehur, lashe automatikun ne vend dhe u drejtova nga njerezit e armatosur. Une u thashe atyre: "Jam polic, jam nga Vranishti i Vlores, mos godisni". Une dola nga vendi ku isha, pasi mendova se po te ikja me vrap do me qellonin. Personi qe qelloi me bresheri automatiku ne drejtim te makines ku ishte Gjergji, ishte nje djale rreth te 25-ve, i gjate rreth 1.70 m, trup mesatar dhe me floke te zeza deri ne gjatesine e qafes, floket pak me onde te kthyera anash, i parruar. Ata filluan te me godisnin me qytat e armeve dhe me sendet qe iu ndodheshin prane dhe me shanin. Ata me godisnin ne koke dhe ne gjithe trupin me grushte, me shkelma, me peshtynin. Turma sa vinte dhe behej me e madhe, pasi vinin njerez nga Saranda dhe nga rrethinat. E gjithe kjo zgjati 10-15 minuta. Njeri nga ata personat me hipi ne nje makine tip "Benz 2400", ngjyre kafe bashke me dy persona te armatosur, djem te rinj per te me ruajtur mua dhe me cuan ne nje vend ne Sarande ku ishin gazetare greke dhe italiane. Ndenja rreth 10-15 minuta aty dhe pas kesaj me kthyen perseri ne Qafe-Gjashte. "Me lidhen pas nje shtylle dhe duart e lidhura gjithashtu pas shtylle. Gjate gjithe kesaj kohe, perseri njerez te armatosur vazhdonin te me godisnin. Nuk jam ne gjendje te them emrat e tyre pasi nuk i njihja. Ishin rreth 50 veta ne miting. Aty une degjova qe mbajten fjalim anetare te Komitetit te Shpetimit te Sarandes dhe mesova emrin e kryetarit, quhej Xhevat Kocia. Ata shanin dhe me godisnin akoma, madje degjova te flisnin me njeri-tjetrin duke pyetur se kush do me vriste. Madje, njeri prej tyre me goditi me tyten e automatikut prapa kokes. Peshtyja gjak dhe u ula se nuk qendroja ne kembe nga goditja. Rreth ores 22:00 te asaj dite me cuan ne spital dhe une rashe ne kllapi nga goditjet e plaget qe kisha marre dhe nuk kujtoj asgje, cfare eshte bere me pas me mua ate nate. Por, mbaj mend qe me kane lidhur me pranga gjermane nga to te trashat dhe sqaroj se gjate gjithe kohes qe kam qendruar ne spital, kam qene i lidhur me pranga dhe me ruanin persona te armatosur me automatik", ka deklaruar Aliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›