E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Sekuestro për 11 bosët e trafikut të drogës e prostitutave

02/04/2009  Raporti i 2008-s përfshin edhe Aldo Baren. Pasuria e bosëve përfshin disa prona

TIRANE- Ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda me anën e një raporti vjetor kanë bërë të ditur se gjatë vitit 2008 kanë kërkuar sekuestrimin dhe konfiskimin e mjaft hoteleve, automjeteve, llogarive bankare dhe aseteve të tjera, që administrohen nga persona, të cilët dyshohen se këto pasuri i kanë vendosur duke ushtruar aktivitete të jashtëligjshme. Në listën e gjatë të sekuestrimit dhe konfiskimit bëjnë pjesë pasuritë e personave që në Shqipëri cilësohen si drejtues kryesorë të organizatave kriminale. Ndër pasuri më të majme që ka konfiskuar Prokuroria e Krimeve të Rënda janë ato të Aldo Bares, Xhevdet Troplinit, Ilir Koçiajt e të pandehurve të tjerë. Burime pranë organit të akuzës thanë se gjatë vitit të kaluar kanë marrë 5 vendime për sekuestro paraprake ndaj disa pasuri që i përkasin të pandehurve Andrea Ajasllari, Nikolin Cakës, Edmond Bejkos, Eljano Cankos dhe Femi Rabit. Për të gjithë këta persona që akuzohen si pjesëtarë në organizata kriminale Gjykata e Krimeve të Rënda, ka vendosur masën e sekuestrimit paraprak të pasurive të tyre. Mësohet se në listën e pasurive të personave të lartpërmendur janë apartamente, llogari bankare, automjete luksoze, troje e materiale të tjera me vlerë të lartë financiare. Aktualisht këto pasuri janë të ngrira, ndërkohë që prokurorët Adnan Xholi dhe Besnik Muçi po kryejnë hetime të mëtejshme për të provuar nëse ato janë ndërtuar me të ardhura të pista apo jo. Po gjatë vitit 2008 falë punës së tyre specialistët e Krimeve të Rënda kanë marrë 3 masa sekuestrimi të pasurive, për të pandehurit Altin Sotomeni, Fation Skënderi dhe Andrea Ajasllari. Të tre këta persona janë nën akuzë për pjesëmarrje në “organizata kriminale”, “trafikim i femrave për prostitucion” dhe “trafikim droge”. Nga kjo veprimtari kriminale ata kanë mundur që të ardhurat e tyre t’i shpenzojnë në biznese të ligjshme. Por hetimi ka nxjerr se apartamentet, dyqanet dhe një sërë pasuri të tjera të sipërcituarit i kanë ndërtuar me para të pista. Lidhur nga ky konstatim prokurorët kanë kërkuar sekuestrimin e pasurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Puna për lokalizimin dhe identifikimin e pasurive të të pandehurve që kanë kryer pastrimin e të ardhurave të tyre nga aktiviteti kriminal, është thelluar edhe në konfiskimin përfundimtar të pasurisë. Kështu në vitin 2008 organi i akuzës ka marrë 11 vendime për konfiskimin e pasurive të kapove që drejtonin bandat kriminale në Shqipëri. Pasuritë janë nga më të ndryshmet si Laguna e Karavastasë, hotele në vende turistike, apartamente luksoze, llogari bankare në euro e të tjera.

Vendimet e konfiskimit të pasurisë

1. Besnik Coba

2. Aleksandër Bojko

3. Xhevdet Troplini

4. Besnik Braka

5. Baftjar Gjana

6. Ilir Koçiaj (I)

7. Ilir Koçiaj (2)

8. Aldo Bare

9. Avni Avduli

10. Jani Tafa

11.Altin Sotomeni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›