E Diel, 1 Nëntor 2026

Si të marrësh kredi për shtëpi

25/01/2005  Banka Kombëtare Greke

Shuma maksimale kredisë 100 mijë euro

Afati 17 – 20 vjet

Kredi euro 10.9 për qind

Kredi dollar 9.8 për qind

Kredi lekë 16 për qind

Kolaterali, hipoteka e shtëpisë

Banka Amerikane

Shuma kredisë 100 mijë euro

Koha kredisë 10 – 20 vjet

Interesat

10 vjet - Norma ndërkombëtare plus 6.5 për qind në vit

20 vjet - Norma ndërkombëtare plus 7.25 për qind në vit

Kolaterali – Hipoteka e apartamentit

Të ardhurat mujore - 650 dollarë në muaj

BKT

Shuma 100 mijë euro

Koha e kredisë 5 – 10 vjet

Kolaterali- Hipoteka e shtëpisë

Interesat – Të diskutueshme

Pro Credit Bank

Shuma 20 mijë euro

Afati maksimal 10 vjet

Interesat kësti mujor

Në euro rreth 450 euro

Në lekë rreth 40.300 lekë

Kolaterali – Hipoteka e shtëpisë

Të gjitha interesat, kolateralet dhe kushtet që duhet të plotësohen

Brikena Kamenica

Një shtëpi në tregun e banesave është ekuivalenti i 30 mijë eurove, për të cilat duhet të punosh gjithë jetën për t’i siguruar. Kjo është vlera më e vogël, por në rast se pretendon për një shtëpi komode, duhet të paguash në xhepin e ndërtuesit dhe 60 apo 100 mijë euro. Propabiliteti që klientët t’i kenë bashkë këto para, po bëhet gjithnjë e më i vogël. Nga ana tjetër rritet nga viti në vit mundësia për të blerë shtëpinë me paratë e bankës. Por nga njëra bankë në tjetrën, ndryshojnë kushtet, afatet dhe interesat, edhe pse në këtë pikë duket sikur pjesa më e madhe e bankave janë njëlloj. Gjithsesi të interesuarit për të blerë një shtëpi, mund të navigojnë në dy tregje, në atë të banesave dhe të bankave. Firmat e mëdha të ndërtimit e kanë hapur vetë rrugën e blerjes me këst, nisur dhe nga vlerat e larta të shtëpive. Kështu një firmë është e lidhur me bankën dhe i drejton klientët e saj në dyert e bankës, për të parë mundësinë e një kredie. Aktualisht, për të qenë i denjë për të marrë një kredi, duhet të kesh të ardhura mujore të mjaftueshme. Kjo është një nga kërkesat kryesore të bankave, të cilat nuk besojnë te qytetarët që kanë marrëdhënie të sigurta pune, por jo të ardhura të larta---------. Kështu, Banka Amerikane e Shqipërisë është e gatshme të japë kredi për ata persona që kanë të ardhura mbi 650 dollarë në muaj, pasi interesi më i vogël mujor është 400 dollarë. Por, kështu dhe Pro Credit Bank kërkon dokumentacionin e nevojshëm, që vërteton se ke të ardhura të larta, që të mund të përballosh jo vetëm këstin mujor, por dhe shpenzimet e tjera mujore. Nivelet, aktualisht të larta të interesave, bëjnë që këstet mujore të jenë gjithashtu të larta për pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Pikërisht këtu fillon të çalojë problemi për një pjesë të mirë të atyre që quhen të pastrehë dhe duan të blejnë një shtëpi me paratë e bankave. Ky lloj “biznesi” nuk është aspak i favorshëm për këtë kategori. Pjesa më e madhe e bankave në tregun bankar sot, pretendojnë që një klient i tyre të ketë të ardhura mujore vetjak mbi 500 mijë lekë të vjetra, çka e ul ndjeshëm nivelin e kërkesës për kredi. Çdo individ që ka piketuar një shtëpi në tregun e banesave dhe nuk disponon të gjithë shumën, mund t’i drejtohet bankës ku mendon se interesi ose kushtet janë më të favorshme. Bankat janë të gatshme të ofrojnë rreth 70 për qind të shumës së shtëpisë, në rastet kur shtëpia është e përfunduar dhe ka hipotekë të sigurtë. Në këtë rast bëhet menjëherë hipotekimi i shtëpisë në emër të bankës dhe, banka, pasi të akordon kredinë bën pagesën e shtëpisë, por duke e mbajtur atë me hipotekë, deri në momentin kur është shlyer e gjithë kredia. Pasi firmos dokumentet me bankën, je i detyruar të paguash këstin mujor, sipas vlerës së llogaritur. Për disa banka interesi vjen duke zbritur, në varësi të shumës së paguar. Në rast se shtëpia është në ndërtim e sipër dhe nuk ka mundësi të hipotekohet deri sa të përfundojë ndëritmi, bankat kërkojnë si garanci hipotekë të një pasurie të paluajtshme, që mund të jetë në emër të personit që kërkon kredi ose të një tjetri që del garant për të, siç mund të jetë prindi. Garancia në këtë rast duhet të jetë sa 150 për qind e vlerës së shtëpisë, pasi bankat ndihen të pasigurta. Kjo është dhe kredia më e vështirë, pasi dokumentacionet e dorëzuara verifikohen mirë dhe të interesuarit për kredi duhet të provojnë se janë të aftë të paguajnë kredinë.

Çfarë është interesi ndërkombëtar

Banka Amerikane është e vetmja bankë që operon në shërbimin e kredisë, duke u mbështetur në normën bazë të interesit ndërkombëtar. Kështu banka merr parasysh normat e interesit në tregjet e zhvilluara bankare, të cilat janë në fakt shumë më të ulëta se në tregun shqiptar. Kështu normat bazë të interesit në valutë në Evropë lëvizin nga 2-4 për qind për shtëpitë. Mbi këtë bazë bëhet dhe llogaritja e interesit mujor, duke i shtuar 6–7.5 për qind.

Në janar 2006 do ketë

TVSH edhe për shtëpitë

Buxheti i 2005-ës ka parashikuar që në fillim të 2006-ës do të aplikohet TVSH-ja në ndërtim. Kjo do të thotë që kontratat me klientët të bëhen edhe më agresive në çmime, duke u bërë thuajse të paarritshme. Por duket se kjo situatë ka filluar të japë ndikimet e veta që në 2005-ën. Në janar është ndjerë një rritje e lehtë e çmimit për metër katror. Duket se ky do të jetë viti i fundit, ku mundet të gjesh një shtëpi me çmim disi të arsyeshëm. Kështu kush dëshiron të blejë një shtëpi, është mirë ta bëjë në 2005-ën, sepse më pas fillon një tjetër histori. Nëse deri në fund të 2005-ës do të paguajnë për çdo metër katror në derën e Bashkisë taksën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, në fillim të 2006-ës do të paguajë TVSH–në e ndërtimit. Për ndërtuesit, zëvendësimi i dy taksave nuk është kaq i thjeshtë. “Taksa e regjistrimit të pasurisë ishte e rëndë, por TVSH–ja 20 për qind mbi vlerën e ndërtimit është akoma dhe më e rëndë”, thotë për “Metropol”, Artan Dulaku. Në Buxhetin e 2005-ës është parashikuar që në 2005-ën do të hiqet taksa e regjistrimit dhe do të aplikohet një TVSH 20 për qind mbi vlerën e ndërtimit. Para një viti u vendos me ligj që çmimi dysheme i ndërtimit të ishte 350 euro metri katror. Mbi këtë vlerë do të llogaritet dhe 20 përqindëshi i TVSH–së së banesës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›