E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana, Kryeqyteti i Paqes

25/01/2005  Shaban Sinani

Për herë të parë, pas aprovimit të ligjit mbi Ditën e Kujtesës në shtator të vitit të kaluar, në 27 Janar do të organizohet edicioni i parë i kësaj dite edhe në vendin tonë, si dita e reflektimit mbi katastrofën e popullit ebre, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që Tirana propozohet nga perëndimi të jetë Kryeqyteti i Paqes

Eshtë e vështirë të thuhet se shqiptarët, në shumicën e tyre, e dinë se çfarë përfaqëson 27 Janari. Pavarësisht se një ndër vendet e vetme, për të mos thënë i vetmi, që mbrojtëm ebrejtë, jo vetëm me banim në Shqipëri, por edhe nga vende të tjera të Evropës, asnjëherë nuk mundëm ta pasqyrojmë këtë fakt historik përtej vetvetes, si për arsye objektive, ashtu edhe subjektive. Kur u shpall doktrina famëkeqe mbi zhdukjen përfundimtare të hebrejve në vitin '33, në Shqipëri numëroheshin 200 hebrej, ndërsa në fund të luftës numëroheshin mbi 3 mijë. Shifra që nuk kanë nevojë për koment. Një ndër institucionet më aktive në afirmimin e 27 Janarit, Ditës së Kujtesës, por edhe të ndihmës së jashtëzakonshme që populli ynë i dha popullit hebre gjatë periudhës së holokaustit, është edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Me iniciativën e saj dhe Akademisë së Shkencave, si dy institucione bashkëhartuese të ligjit mbi Ditën e Kujtesës, vetëm pak muaj më parë u zhvillua promovimi i këtij ligji për një publik më të gjerë. "Eshtë një angazhim vullnetar, aspak detyrues, që çdo vend të shpallë Ditën e Kujtesës, në shenjë homazhi të viktimizimit masiv të popullit ebre dhe në shenjë reflektimi për katastrofën që i ndodhi një populli gjatë Luftës së Dytë apo, edhe katastrofave të ngjashme, të shkaktuara pas kësaj lufte. Si bashkëhartuese e këtij ligji, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka pasur një lloj përgjegjësie publike dhe jo ligjore, për të marrë pjesë në mënyrën e organizimit të këtij edicioni të parë të Ditës së Kujtesës", thotë Shaban Sinani, drejtori i institucionit. Kjo, edhe për një arsye tepër të rëndësishme, sikundër rreziku eventual që mund të shtrembërojë thelbin e kësaj dite. "Rreziku i parë është që, kjo Ditë, të shndërrohet në një ditë feste. Sidomos në rastin e vendit tonë, që jo vetëm ruajti dhe mbrojti hebrejtë me banim në Shqipëri, por edhe shumë që erdhën nga vende të tjera, gati 15 herë më shumë nga sa banonin në atë periudhë këtu. Rreziku i dytë është që, kjo ditë të kthehet në ditë përshpirtje apo evokimi të vuajtjeve dhe të mundimeve që hebrejtë kanë pësuar gjatë kësaj kohe, kuptim që është jashtë konceptit të kësaj dite. Ndërsa rreziku i tretë vjen nga mundësia e politizimit apo e një debati politik. Një rrezik tepër evident në vendin tonë, po të kihet parasysh seanca e diskutimit plenar në Parlament, ku u shtua çështja 'ndaj cilës dhimbje duhet të reflektohet në Ditën e Kujtesës, ndaj dhimbjes së popullit hebre, holokaustit apo ndaj genocidit, etnocidit ndaj popullit shqiptar?'. Të trija këto elementë përbëjnë një rrezik evident në dhunimin e Ditës së Kujtesës", nënvizon Sinani, i cili shton se kjo vjen si rezultat i faktit që, kjo ditë nuk i referohet të shkuarës në formën e një keqardhjeje, por i referohet asaj si një profilaksi për të ardhmen, "si një ditë që i takon më shumë brezit të ri dhe jo, klasës politike, nazi-fashistëve që e shkaktuan këtë fatkeqësi, por të rinjve që, duke mësuar atë ç'ka ka ndodhur të diologohet me ta që të dinë të ruhen nga çdo formë të ushtrimit të dhunës kolektive".

Leonard Olli

27 Janari, provë e një pjekurie globale

Këtë vit, organizimi i Ditës së Kujtesës përkon edhe me 60-vjetorin e çlirimit nga forcat aleate të kampit shfarosës të Auschwitz, më 27 janar të vitit 1945, datë që u vendos të ishte edhe Dita e Kujtesës. "Këtë vit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë një seancë plenare kushtuar Ditës së Kujtesës, në shenjë të reflektimit të njerëzimit në tërësi, pavarësisht racave, grupimeve politike etj., ku përfshihen edhe popuj arabë, të cilët janë në një konflikt të hapur me Izraelin. Pavarësisht kësaj, të gjithë kombet do të marrin pjesë së bashku në këtë ditë reflektimi, fakt që tregon një shkallë pjekurie të njerëzimit, sado që pak me vonesë. Natyrisht që nuk është e rastit që pas 60 vitesh, gjithë njerëzimi bashkohet në një qëndrim të përbashkët kundër holokaustit apo shoah (në gjuhën hebre) dhe kundër të gjitha formave të tjera të dhunës kolektive apo të shfarosjes në masë", shpjegon prof. Sinani. Ky sesion e kthen 27 Janarin në një Ditë mbarbotërore të Kujtesës. Nga ana tjetër, vendi ynë deri para viteve '90, ka patur pengesa politike e ideologjike për t'i treguar botës mbarë të gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me këtë çështje, duke e konsideruar gati një temë tabu, madje, nuk kemi patur as marrëdhënie diplomatike me Izraelin. "Edhe pas viteve '90, më shumë ka patur vetëlavdërime dhe frazeologji morale, se sa ka patur kërkime në burimet arkivore. Për këtë arsye, kërkesa jonë më e rëndësishme ka qenë të bëjmë të ditura çfarë ka në burimet tona, pasi fenomeni Shqipëri në raport me hebrejtë është i panjohur në pikëpamjen shkencore në mjediset ndërkombëtare. Ne kemi punuar që promovimi i burimeve arkivore të bëhet paralelisht, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit", thekson Sinani. Madje, në lidhje me këtë, në datën 27 janar, në një nga gazetat më të mëdha italiane "Corriere Della Sera", do të ketë një edicion special posaçërisht për fatin e hebrejve në Shqipëri. "Ky fakt përbën edhe rastin e parë ku një media e përmasave të kësaj gazete, do të trajtojë qëndrimin e popullit tonë ndaj hebrejve gjatë Luftës së Dytë", thotë Sinani, duke shtuar se edhe në një sërë aktivitetesh të tjera që do të zhvillohen në 26-27 janar, Drejtoria e Arkivave do të ketë rolin e bashkorganizatorit.

Tirana, Kryeqyteti i Paqes, sfida shqiptare

Të gjitha nismat e marra në Perëndim, në lidhje me Ditën e Kujtesës, kanë patur si korrespondent në vendin tonë Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, edhe për faktin se një përfaqësues i këtij institucioni ka qenë pjesëmarrës në Forumin Ndërkombëtar të Holokaustit. Në kuadër të këtyre iniciativave është edhe një nismë tjetër, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me vendin tonë. Bëhet fjalë për kryeqytetin shqiptar, Tiranën, e cila është propozuar të shpallet Kryeqyteti i Paqes. "Vështrimi perëndimor është më kompleks në lidhje me këtë propozim, pasi për të ka një domethënie të veçantë, që një vend me përbërje të ndryshme fetare, ku, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1930, ku u cilësua edhe feja, përbëhet në shumicën e vet nga myslimanët, jo vetëm që nuk u shkaktoi dhimbje apo dhunë hebrejve, po është i pari që miraton ligjin mbi Ditën e Kujtesës, pavarësisht këtyre përkatësive fetare. Ky fakt bën një përshtypje të veçantë. Ky propozim që është një iniciativë evropiane dhe, që ka shumë të ngjarë të ndodhë, bazohet pikërisht në këtë argument dhe në atë më thelbësorin, që jo vetëm nuk u dëmtuan hebrejtë që jetonin në vendin tonë, por mundi të shpëtonte edhe shumë të tjerë nga vende të ndryshme evropiane. Ky fakt është edhe më i rëndësishmi e duhet ta kuptojmë edhe ne vetë të parët", shpjegon Sinani. Ky propozim mund të bëhet realitet vetëm pasi komuniteti ndërkombëtar të monitorojë organizimin për herë të parë të Ditës së Kujtesës në Shqipëri. "Në rast se kjo ditë do të organizohet në konceptin terminologjik që ka Evropa për ditën e kujtesës, duke iu shmangur rreziqeve që trajtuam më lart, atëherë gjithçka do të jetë pozitive, pasi ky propozim është bërë nisur nga bindja se, Shqipëria do të ketë formim dhe dinjitet për të respektuar standardin evropian", nënvizon drejtori i Arkivave, Shaban Sinani.

"Dita e kujtesës"

Më 27 janar 2000, në Stokholm të Suedisë u mblodhën përfaqësues të qeverive të shumicës së vendeve evropiane, të SHBA-së dhe Kanadasë, për të diskutuar rreth zyrtarizimit të një dite ndërkombëtare të kujtesës, kushtuar shfarosjes masive të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë forum, qeveria jonë u përfaqësua në rang zëvendëskryeministri dhe me një delegacion ndërinstitucional, duke marrë pjesë çdo vit në mbledhjet vjetore të këtij forumi. Rezoluta përfundimtare e Forumit Ndërkombëtar të Helsinkit (2000), siguroi zotimin e qeverive aderuese për të shpalluar "Ditën e kujtesës". Shumë vende evropiane e kanë shpallur me ligj "Ditën e kujtesës", duke preferuar si rregull datën 27 Janar, datë në të cilën u çlirua kampi famëkeq i Auschwitz-it, ku u përqendruan për asgjësim dhe shfarosje kolektive me mijëra hebrenj nga e gjithë Evropa.

Box

Shefat nazistë: Asgjësimi i hebrejve, i pamundur në Shqipëri

Bëhet fjalë për një bisedë të mbajtur në procesverbal, në 17 tetor të vitit 1943 në Berlin, midis një funksionari të lartë të Ministrisë së Jashtme të Rajhut të Tretëi dwrguar i Ribentrop dhe Komandantit të Përgjithshëm të Gestapos, të cilët ishin takur për të diskutuar në lidhje me zhvillmin e politikave anti-hebrehe, në vendet që më parë kishin qenë të pushtuara nga Italia. Komandanti i Gestapos i drejtohet funksionarit të ministrisë: "E kuptoj shumë mirë pozicionin e Ministrisë së Jashtme, ku, sipas saj, një operacion për të kapur hebrejtë në Shqipëri, pa miratimin e qeverisë shqiptare apo edhe pa dijeninë e saj, do të dukej shumë agresive dhe do të shkaktonte komplikime të rënda me pasoja të paparashikueshme në këtë vend". Ky dokument dëshmon qartë se, Ministria e Jashtme gjermane, i kishte bërë të qartë shefit të Gestapos se një operacion i tillë ishte i pamundur në Shqipëri dhe, ky i fundit mendon për shtyrjen e këtij operacioni për në një moment të përshtatshëm. Rëndësia e këtij dokumenti qëndron në faktin se, Gjermania naziste mundi të arrestonte hebrejtë në të gjitha territoret e pushtuara, me përjashtim të Shqipërisë.

Prof. Michele Sarafati

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›