Si u shkatërruan zgjedhjet në Dajç të Lezhës
Para pak ditësh prokuroria dërgoi në gjykatë tetë komisionerë të zgjedhjeve lokale në komunën Dajt. Ata akuzoheshin se kishin manipuluar rezultatin zgjedhor duke lejuar të votohej në emër të emigrantëve që nuk ishin në Shqipëri. Kandidati i opozitës, Rrok Rroku e denoncoi këtë skandal edhe në KQZ dhe Kolegj Zgjedhor, por u shpërfill. Për fat veproi prokuroria. Më poshtë është një shkrim i kandidatit Rrok Rroku që tregon se si janë manipuluar zgjedhjet dhe një apel i tij që gjykata të vendosë drejtës për institucionin e zgjedhjeve
Nga Rrok Rroku
Ditët e fundit shtypi i shkruar dhe televiziv – ai i pavaruri dhe opozitari sigurisht- ka publikuar lajmin për hetimin nga Prokuroria e Lezhës të kutisë së votimit numër 0699, që i përket fshatit Dragushë të Komunës së Dajçit, Lezhë. Hetimi penal ka konstatuar e provuar krimin e hedhjes së votave në emër të zgjedhësve emigrantë, që nuk kanë qenë të pranishëm në Shqipëri ditën e zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 apo nuk kanë marrë pjesë në votime për arsye të ndryshme. Në emër të tyre kanë votuar të afërm apo komisionerë të paditur tashmë në gjykatë nga Prokuroria.
Rezultatet e hetimit në fjalë, që u bënë publike nga disa media, kanë befasuar e revoltuar me të drejtë mijëra e mijëra banorë të Zadrimës, të Lezhës dhe mbarë Shqipërisë, që nuk mund të pajtohen me një manipulim kaq të shëmtuar e kaq flagrant të vullnetit të zgjedhësve, vullnet të cilin demokracia perëndimore e konsideron një gjë të shenjtë. Pa dyshim janë befasuar e revoltuar edhe mijëra e mijëra emigrantë shqiptarë, të shpërndarë anembanë botës, që shohin se si ka provuar ta zgjidhë mazhoranca e sotme problemin e madhe të votimit të emigrantëve: Sipas eksperimentit në Dajç e në kushedi sa qendra të tjera votimi për të cilat ka denoncime, por nuk ka ende hetime nga prokuroria, emigrantëve nuk do tu krijohet mundësia të votojnë në shtetet ku punojnë! Nuk do tu krijohet mundësia të votojnë me postë të zakonshme apo me postë elektronike! Nuk kanë nevojë të vinë fare as në Shqipëri. Ka një zgjidhje më të thjeshtë: votojnë komisonerët e shitur në vend të tyre në emrin e tyre!
Votimi në emër të emigrantëve, falsifikimi i firmave të tyre sikur gjoja janë në Shqipëri kur në fakt nuk janë në Shqipëri është abuzimi më i madh me këtë komunitet që mban prej dy dekadash familjet shqiptare dhe vendin. Unë besoj se mjaft prej emigrantëve të Dajçit, që janë bërë votues pa qenë aty në zgjedhjet e 8 majit do të reagojnë për vjedhjen që u është bërë identitetit dhe vullnetit të tyre. Ata që nuk reagojnë duhen të ndihen keq para bashkëfshatarëve të tyre emigrantë ose jo emigrantë.
Por le të kthehemi te kutia e Dragushës, që disa gazeta e kanë krahasuar me kutinë e Ruzhdijes së Fierit në zgjedhjet politike të vitit 2009. Krahasimi qëndron përsa i përket faktit se në të dyja kutitë janë hedhur vota në emër të emigrantëve. Por ka edhe dallime.
Dallimi i parë është se KQZ-ja nuk e kishte llogaritur rezultatin e kutisë së Ruzhdijes në tabelën përmbledhëse të rezultatit përfundimtar të qarkut të Fierit, ndërkohë që rezultati i Dragushës është llogaritur në rezultatin përfundimtar të komunës Dajç, edhe pse në ankimimin e bërë prej meje brenda afateve ligjore në KQZ dhe Kolegj Zgjedhor janë paraqitur fakte dhe prova të pakundërshtueshme të manipulimit në këtë kuti dhe kuti të tjera, fakte të cilat janë injoruar me një arrogancë të pashembullt nga zotërinjtë e shumicës në KQZ dhe pastaj edhe nga Kolegji Zgjedhor.
Dallimi i dytë është se në Ruzhdije është denoncuar një kuti, kurse në Dajç unë kam paraqitur ankimim dhe denoncim për pesë kuti, manipulimi i të cilave ka sjellë falsifikimin e rezultatit përfundimtar të votimit. Në kutinë e hetuar prokuroria e ka gjetur plotësisht të mbështetur denoncimin tim. E siguroj opinionin publik të interesuar dhe popullin e komunës së Dajçit në radhë të parë se saktësia e provave të mia do të vërtetohet edhe në kutitë e tjera, të cilat prokuroria duhet ti hetojë dhe gjykata duhet ti gjykojë sipas ligjeve në fuqi.
E pashë me sy, e jetova vetë si kandidat i koalicionit opozitar Aleanca për të ardhmen përvojën e hidhur të presioneve, shantazheve, dhunës psikologjike dhe biles dhe fizike ndaj zgjedhësve opozitarë. Kjo fushatë e egër kulmoi me hedhje votash e manipulim të rezultatit nga forca kundërshtare. Shembulli i Dajçit është shembulli tipik që tregon një nga mënyrat më të përhapura të manipulimit të zgjedhjeve, aktorët dhe faktorët që mundësojnë këtë manipulim, pengesat që has procesi i transparencës dhe drejtësisë në instancat e ankimimit që janë KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Në këto instanca unë paraqita deklaratën noteriale të zëvendëskryetarit të qendrës së votimit të fshatit Dragushë, Ndoc Zef Marku, i cili deklaron se janë futur rreth dyzet fletë votimi në emër të njerëzve që nuk ishin paraqitur për votim. Arrita të krijoj listën e emigrantëve në emër të të cilëve është hedhur vota, me shumë përpjekje kam siguruar datat e daljes së tyre për herë të fundit nga pikat e ndryshme të kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë. Dalja e fundit e secilit është regjistruar para tetë majit 2011. Po kështu kam paraqitur kundërshtimin e numëruesve të opozitës të qendrës së numërimit numër 3 të qarkut Lezhë, të cilët kanë konstatuar falsifikimin e firmave të votuesve emigrantë dhe e kanë shprehur këtë me shkrim në tabelën e rezultateve. Nuk po flas për deklarata të tjera noteriale të zgjedhësve të ndryshëm në lidhje me presionet që u janë bërë dhe veprimet hakmarrëse që kanë pësuar nga forca politike kundërshtare. Është e pakonceptueshme për këdo që ka një minimum njohurish për Kodin Zgjedhor e drejtësinë që KQZ dhe Kolegji Zgjedhor nuk i kanë marrë parasysh këto prova. Arbitrariteti i tyre ka qenë një motiv më shumë për mua për të vazhduar betejën ligjore nëpërmjet prokurorisë dhe gjykatës. Nuk mund të pajtohemi me shkeljen kaq flagrante te ligjit. Nuk ka kuptim të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk ka kuptim të tërhiqemi përballë manipulatorëve dhe garantëve të tyre. Nuk mund të jenë shkelësit e ligjit me të fortë se mbrojtësit e ligjit.
Unë falenderoj Prokurorinë e Lezhës për hapin që ka hedhur në hetimin e një kutie dhe shpresoj se do të vazhdojë kështu me kutitë e tjera. Pres drejtësi nga gjykata. Kam informuar ambasadat e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-se në Tiranë dhe shpresoj në ndjekjen me vëmendje të procesit prej tyre. Sot bëj apel për një mbështetje më të madhe nga opozita për këtë betejë timen, që nuk është thjesht imja e smund të jetë vetëm imja. Unë nuk di betejë më të madhe për opozitën shqiptare se kjo për zgjedhjet e lira e të ndershme, duke filluar me rregullimin e celulës bazë të zgjedhjeve që janë komisionerët e duke përfunduar te KQZ-ja e Kolegji Zgjedhor. I kam falenderuar komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit socialistë në përgjithësi për profesionalizmin dhe integritetin që kanë treguar, por për fat të keq kemi patur edhe rastin ku përfaqësuesja e PS-së në komision ka firmosur në të bardhë çfarë kanë dashur ata të partisë kundërshtare. Nuk është fjala për të shp