E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet shendetsore miratohet drafti

Është miratuar në parim pa praninë e deputetëve të opozitës, në komisionin parlamentar të shëndetsisë, drafti për sigurimet shëndetësore. Ministri Petrit Vasili e ka konsideruar projektligjin, si një hap përpara për mbulimin e të gjithë popullatës me sigurime shëndetsore, si dhe një menaxhim më të mirë të shërbimeve shëndetsore, duke ofruar shërbime cilësore, për pacientët që paguajnë rregullisht sigurime.

"Gjithmonë e më shumë në mënyrë të qartë, menaxhimi shkon në mënyrë efikase atje ku është dhe veprimtaria ku prodhohet shëndet në mënyrë të drejt për drejtë. Kjo shkurton në mënyrë absolute kohën burokratike i jep zgjidhje problemeve që praktika mjekësore nxjerr përditë", tha Petrit Vasili, ministër i shëndetsisë.

Nga ana tjetër drejtuesja e institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetsor ka premtuar se drafti do të mundësoje ofrimin e më shumë shërbimeve që do të blihen nga ISKSH, jo vetëm për qëndrat shëndetsore por edhe për spitalet.

"Ky ligj garanton paketa shërbimi mjaft mirë të përcaktuara, të kontraktuara nga ana e fondit, e institutit të sigurimeve që do të bëhet nesër fond dhe natyrisht, shumë transparente ndaj popullatës, pasi këto kontrata do të ketë akses cdo njeri dhe në këtë lloj roli të ri do të quanim sikur fondi apo instituti i sigurimeve do të merrte dhe avokatin e pacientëve", u shpreh Elvana Hana, drejtoreshë e ISKSH-së.

Aktualisht në vend rreth 40% e popullatës, paguajne sigurime shëndetsore. Sipas autoriteteve të shëndetsisë nuk do të ketë ndryshime taksative për ata që paguajnë sigurime.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›