E Diel, 1 Nëntor 2026

Sinaj: Ndryshimet sjellin rritjen e çmimit

20/04/2005  Kthimi i Pronave

Kryetari i Komitetit të Pronave vlerëson propozimet e deputetëve

Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sokrat Sinaj, pranon se me propozimet e bëra në Komisionin parlamentar të Bujqësisë është bërë një plotësim i Metodikës. Kjo në parashikimin e çmimit për ndërtesat e ligjshme të bëra në tokën e pronarëve si dhe në parashikimin e çmimit për tokat në zonat turistike, por që nuk janë pranë liqenit apo në breg të detit. Një tjetër pikë që është shtuar në Metodikë është dhe parashikimi i çmimeve të tokave që janë pranë hidrocentraleve. Megjithatë sot pritet që në Komisionin parlamentar të Bujqësisë të zhvillohen diskutimet e fundit për t'i lënë më pas vendin miratimit në seancën plenare.

Zoti Sinaj, ku konsitojnë ndryshimet e bëra në Komisionin parlamentar të Bujqësisë, për metodikën që ju keni paraqitur për miratim në parlament?

Në bazë të propozimit të Komisionit të Bujqësisë ndryshimet konsistojnë në integrimin në vlerësimin e zonave turistike në pjesën kontinentale dhe integrimin në metodikë të vlerësimit të ndërtesave që nuk ishte parashikuar në variantin e parë dhe njëkohësisht kishim propozuar dy variante lidhur me një koeficent për sa i përket ndërtueshmërisë. Një koeficient 0,5 dhe nje koeficient 1 dhe u pranua koeficenti 1 sipas propozimit të Komisionit të Bujqësisë. Këto ishin tri ndryshimet e bëra si dhe do të parashikohet në metodikë vlerësimi i tokave që ndodhen nën liqenet e hidrocentraleve dhe rezervuareve. Ne mendojmë se me këto përmirësime në metodikë të jemi të plotë. Janë futur elementë të rinj.

Çfarë do të sjellin ndryshimet e bëra në formulat e vendosjes së çmimit të trojeve, pasi është debatuar gjatë mbi kriteret e ndërtueshmërisë?

Ndryshimi i koeficentët të ndërtueshmërisë nga 0.5 në 1 do të rrisë edhe çmimin e tokës në zonat urbane nga 600 euro për metër katrorë, që ishte parashikuar më parë në 750 euro. Ndryshimet nuk do të ndikojnë për çmimet minimale, por vetëm për çmimin maksimal. Ndërkohë, sot fillon kthimi fizik. Ndërsa kompensimi në forma të tjerë do të fillojë pas miratimit të metodikës. Nën drejtimin e Komitetit Shtetëror, komisionet vendore do të bëjnë vlerësimin e parcelave që pretendohen nga pronarët dhe atyre që ofrohen nga shteti. Format e kompensimit janë të përcaktuara në ligj dhe pronari ka të drejtë të bëjë kërkesën që ai e shikon të arsyeshme për kompensim, pastaj komisionet vendore në funksion të mundësive që ka do të vendosë variantin përfundimtar. Pronari nëse nuk është dakord do t'i drejtohet Komitetit Shtetëror për mundësi korrigjimi apo rregullimi, dhe Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave jep përfundimisht një përgjigje, duke lënë në fuqi vendimin e komisionit vendor, ose duke bërë një propozim të ri.

1-5 euro

toka bujqësore

40-208 euro

toka truall turistike

20 euro

toka ndërkontinentale

70-750 euro

toka truall urbane

Nga viti 1944 deri më 1990 janë hapur dhe 351 mijë ha

87% e shqiptarëve kanë qenë pronar

Në Shqipëri 349 mijë hektarë tokë kanë qenë në pronësi të shtetasve. Para vitit 1944, 87 për qind e popullsisë janë pronarë dhe vetëm 13 për qind nuk kanë pasur tokë në pronësi dhe në këtë pjesë futen pakicat etnike të ardhura në Shqipëri. Në vitin 1944, shteti ka qenë pronar i 50 mijë hektarëve, të cilat me tharjen e kënetave, si dhe hapjen e tokave të reja nga viti 1944 deri në vitin 1990 u bënë 351 mijë hektarë. Në Shqipëri, shumica e pronarëve kanë qenë pronarë të mesëm dhe të vegjël.

Para vitit 1944, Shqipëria njohu dy reforma të mëdha mbi të drejtën e pronësisë mbi tokën. Reforma agrare e kohës së Zogut nuk përfshinte në reformë toka që nuk i kalonin 40 ha dhe që shtohej çdo 5 ha për çdo fëmijë mbi 5 ekzistues, kullotat nën 10 ha kur kishin edhe toka të tjera rurale. Nuk përfshiheshin në këtë reformë edhe pyjet sado që të ishte sipërfaqja e tyre, si dhe vreshtat dhe ullinjtë, kopshtet dhe pemishtet. Ndërsa reforma e dytë agrare në Shqipëri, duke qenë se numri i pronarëve në vend ishin të mesëm dhe të vegjël, pikërisht mbi këta të dy rëndoi pjesa më e madhe reformës. Në bazë të kësaj reforme në ligjin 108 të vitit 1945 i la pronarët pa u shpronësuar deri në 40 hektarë tokë, por u shpronësuan çifligjet e shtetit, pronat e të ashtuquajturve armiq të popullit, si dhe pronat e privatëve, ndërkohë që sipas të dhënave, norma e tokës në bazë të reformës ishte pesë hektarë për çdo familje.

Begeja: Jam pro draftit të Komitetit

Relatori i Metodikës së pronave, Maksim Begeja, është shprehur në një prononcim të tij, se është pro draftit që ka paraqitur në Kuvend, Komiteti Shtetëror. Por, ai thekson se duhen bërë dhe disa ndryshime që sjellin përmirësimin e metodikës. "Së pari, dua të deklaroj zyrtarisht, që personalisht jam dakord që kjo metodikë të miratohet nga Kuvendi, por sigurisht që ka nevojë për disa ndryshime, të cilat do t’i jepnin një karakter më praktik, më të zbatueshëm kësaj Metodike në ktihimin dhe kompensimin e pronave. Kam propozuar disa amendamente, ashtu si edhe disa deputetë të tjerë, të cilat në një farë mënyrë janë marrë parasysh nga komiteti. Në Metodikë duhet të përcaktohen, kriteret e vlerësimit të shpenzimeve të prodhimit, që duhet të merren në bazë, të të dhënave zyrtare të INSTAT-it apo Ministrisë së Bujqësisë. Momenti i dytë është vlerësimi i ndërtesave, që në variantin fillestar nuk prekej fare, pra ndërtesat nuk vlerësoheshin. Por, duke qenë se ndërtesat janë pjesë e kthimit dhe kompensimit të pronave të pronarëve, ato kanë nevojë për të plotësuar kriteret bazë, se si duhet bërë vlerësimi i tyre. Moment tjetër është edhe vlerësimi i tokave të përmbytura, të zëna nga hidrocentralet dhe basenet e rezervuareve. U miratua amendamenti i propozuar nga Gani Hoxha, që këto toka të vlerësohen si toka të kategorisë së parë, pasi ato janë toka me rendiment dhe japin një të ardhur shumë të madhe sesa çdo lloj toke tjetër", tha Begeja.

Nis radha në komisionet e qarqeve

Të gjitha dokumentet për të kërkuar kthimin

Komisionet vendore të kthimit dhe të kompensimit të pronave kanë nisur dje procedurat për kompensimin e pronarëve. Në të gjitha qarqet është vënë re radha e madhe e aplikantëve, ndërsa janë shfaqur dhe shqetësimet për burokracitë dhe për dokumentet e shumta që duhen plotësuar. Shqetësimi më kryesor ka qenë fakti se të gjitha dokumentet duhet të paraqiten nga e para, gjë që kërkon shpenzime të tjera si dhe radhë në një sërë institucionesh të vendit. Madje, duket se ky ka qenë shkaku pse në Arkivat e Shtetit është rritur numri i aplikantëve për të nxjerrë hartën e pronësisë, apo dokumentet e tjera që kërkohen për pronësinë. Megjithatë dhe një herë "Metropol", boton listën e plotë dhe institucionin ku duhet të kërkohen dokumentet.

Kërkesë për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi me prokurë të posaçme. Dokumentet që vërtetojnë pronësinë e subjektit si dhe pozicionin gjeografik të pronës: Dokument ligjor (mund të jetë një ose disa nga dokumentet si më poshtë), Vërtetim pronësie lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave; Dokument kadastral (pranë Zyrave të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut ); Vendim gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë me vulën e gjykatës; Dokument që vërteton heqjen ose marrjen e të drejtës së pronësisë së subjektit të shpronësuar nga shteti sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga data 29.11.1944.

Dokumenta shtesë:

Dokument nga Arkiva Hipotekore (pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme); Dokument nga Arkiva e Shtetit Shqiptar (vetëm në ato raste kur dokumentet hipotekore apo kadastrale janë të depozituar në to); Dokument hartografik (plan vendosje e vjetër e pronës, nëse ka), që mund të sigurohet nga: Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit (Arkivi Qendror Teknik dhe arkivat teknikë në rrethe); Instituti i Studimit të Tokave (arkiva hartografike); Arkivi i Shtetit Shqiptar; Drejtoria e Shërbimit Pyjor (arkivi i Kadastrës Pyjore); Bashkia e Rrethit (arkivi hartografik i Urbanistikës); Këshilli i Qarkut (Zyra e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës); Dokument hartografik aktual - Harta aktuale, në varësi të vendit të pronës së pretenduar, mund të sigurohet nga: Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi. Drejtoria e Shërbimit Pyjor për pyjet dhe kullotat Këshilli i Qarkut (Zyra e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës) për tokat bujqësore të paregjistruara; Akti i trashëgimisë, Prokurë e posaçme në rastin e përfaqësimit, Dokument identifikimi i subjektit të shpronësuar apo përfaqësuesit me prokurë të posaçme.

Përcaktohet çmimi i tokës në procesin e privatizimeve në ndërtimet që janë mbi tokën e pronarëve

Trualli deri në 705 euro, në Dajt 20 euro

Komisioni parlamentar i Bujqësisë ka debatuar gjatë dje mbi vendosjen e formulave konkrete, për çmimin e tokave në kuadër të kompensimit të pronarëve. Vlerësimi i shpenzimeve për të arritur në fitimin e tokës bujqësore, përcaktimi i kulturave që do të merren për bazë në përcaktimin e çmimit të tokës, si dhe hapësira vjetore që do të merret si bazë për studimin, kanë qenë argumentet në debatin e zhvilluar mes deputetëve dhe anëtarëve të Komitetit të Pronave. Madje, prej propozimeve të ndryshme dhe konfliktit të ideve, mbledhja nuk ka arritur në një konkluzion. Megjithatë, është pranuar ndryshimi i formulës së çmimit të tokës truall, përcaktimi i çmimeve në zonat turistike kontinentale, pra që nuk janë as pranë liqeneve dhe as pranë bregdetit siç është Dajti apo Dardha e Korçës, si dhe është përcaktuar çmimi në procesin e privatizimit të objekteve që janë ndërtuar mbi tokën e pronarëve. Një tjetër shtesë ka qenë dhe vlerësimi i tokës pranë hidrocentraleve.

Trualli & Turizmi

Sipas ndryshimeve të bëra në Komisionin e Bujqësisë, çmimi i tokës truall në zonat urbane do të shkojë deri në 750 euro. Por deputetët nuk kanë pranuar të ndryshojnë çmimin minimal në këto kategori, që do të mbetet në 70 euro. Kjo për vetë faktin se në Metodikë është ndryshuar vetëm formula për ndërtueshmërinë në një tokë. Kështu në truall tashmë ndërtueshmëria është në 75 për qind të sipërfaqes. Por kjo nuk ndryshon minimumin e ndërtueshmërisë së lejuar prej specialistëve. Nga ana tjetër, komisioni ka vendosur që çmimi i tokës turistike në zonat kontinentale, si Dajti apo Dardha e Korçës, të jetë 20 euro m2. Propozimet janë mbështetur si nga komiteti i pronave, ashtu dhe prej Komisionit parlamentar të Bujqësisë.

Privatizimi

Në procesin e privatizimit të ndërtimeve të ligjshme që janë bërë mbi tokën e pronarëve, trualli do të vlerësohet sipas formulës së paraqitur prej Komitetit Shtetëror. Një vendim i tillë do të ndikojë dhe në çmimin e privatizimit të objekteve strategjikë, pasi çmimi i tokës, mbi të cilin janë ndërtuar ato do të jetë më i lartë nga sa është parashikuar nga qeveria, me një vendim të disa viteve më parë. Përcaktimi është bërë në mbledhjen e komisionit parlamentar të Bujqësisë. Gjithashtu kjo formulë do të përcaktojë dhe mënyrën se si do të veprohet kur ndërtesa, ka një vlerë nën 150 për qind të çmimit të tokës. Në këtë rast, pronari do të paguajë vetëm vlerën që ka bërë ndërtimi i objektit. Ndërsa kur çmimi i ndërtesës është mbi 150% të vlerës së truallit, blerësi duhet të paguajë çmimin e tokës sipas përcaktimit të bërë në metodikën, që është duke u diskutuar aktualisht në komisionet parlamentare.

Tokat pranë rezervuareve

Sipas formulës së paraqitur në Komisionin e Bujqësisë, vlera do të llogaritet si mesatare aritmetike e çmimeve të tokave, që ndodhen në brigjet e baseneve ujore. Pra, me përafërsi çmimi do të jetë 20-104 euro për trojet dhe 2-5 për tokat bujqësore. Megjithatë një përcaktim më i qartë do të jetë në studimin që do të bëhet prej komitetit shtetëror për të gjitha rrethet dhe për të gjitha kategoritë e tokave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›