Do zbardhim krimet e komunizmit
Me Edi Ramën në krye duket se Partia Socialiste do të bëjë një kthesë reale edhe në raport me historinë e afërt politike të Shqipërisë, që deri diku shërben si konservues i konflikteve aktuale. Në një aktivitet kushtuar të përndjekurve politikë në Muzeun Kombëtar, kreu socialist ka ripërforcuar edhe njëherë vullnetin e PS-së për të integruar në gjirin e vet një shtresë sociale që e njeh persekutimin e vet si pasojë të së majtës historike. “Unë jam shumë krenar dhe shumë i vendosur që PS, e cila ka bërë pjesë të programit të saj trajtimin e kësaj periudhe të errët të historisë dhe nxjerrjen në dritë të të gjitha njollave të zeza dhe të kuqe të gjakut që u derdh më kot, të mund të bëhet pjesë e vetëdijes për një të ardhme që duhet të na bashkojë jo përmes harresës, por përmes kujtesës”, u shpreh Rama. Transparencë për krimet e komunizmit. Me këtë premtim ai ka hapur një problem politik, që më së paku mëton t’i heqë së djathtës zyrtare dhe Sali Berishës monopolin e zëdhënëses politike për një kategori që deri më tani nuk ka pasur alternativë të vërtetë politike. Nuk mund të neglizhohet edhe simbolika e kësaj vizite, por edhe premtimi i kreut të PS-së. Zbardhja e krimeve të komunizmit që u kryen ndaj atyre që luftuan për demokracinë, paralelizon sot me betejën e transparencës që në thelb është një përpjekje për lirinë e vërtetë të individit. Paradoksalisht misioni që PS i ka mveshur vetes për zgjedhje të lira dhe demokraci të vërtetë, ka unifikuar sfondin e saj veprues me sfondin historik të ish të përndjekurve, duke aktualizuar edhe njëherë faktin se lufta për të drejtën, por edhe interesi depërton në muret e paragjykimit ideologjik.
#