Kryeministri Berisha priti delegacionin e sipërmarrësve të huaj
Sipërmarrësit amerikanë dhe italianë interes për investime në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha priti në takim të veçantë një delegacion të sipërmarrësve amerikanë e italianë të kryesuar nga senatori Amerikan Z. Harris Mcdouell, III.
Senatori Mcdouell shprehu kënaqësinë vizitë e tij në Shqipëri ndërsa theksoi interesin e grupit të investitorëve për të investuar në Shqipëri në fushën e biznesit të energjisë dhe mjedisit, duke shfrytëzuar risitë dhe teknologjitë e reja që kontribuojnë në eficencën e energjisë së përdorur.
Përfaqësuesit e kompanive bënë një prezantim të ekspertizës së tyre kryesisht në fushën e eficencës së energjisë për ndriçim apo ftohje. Kryeministri Berisha konfirmoi se një ndër prioritetet madhore të Shqipërisë mbetet energjia e pastër, ajo e rinovueshme si dhe me rëndësi eficenca e energjisë.
Kryeministri parashtroi rrethanat lehtësuese rregullatore dhe fiskale për zhvillimin e biznesit në Shqipëri duke përmendur kuadrin lehtësues të sigurimit të lejeve e të licencave, mbrojtjen e Investimeve direkte të huaja, tregun fleksibël dhe të kualifikuar të punës në Shqipëri, zhvillimin e zonave të lira ekonomike, apo regjimi fiskal i taksave të ulëta.