E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siphiwe Tshabalala, njeriu i golit të parë të botërorit

Afrika e Jugut u shndërrua në vendin e parë organizator të një kupe bote, skuadra e të cilit u detyrua që ta linte kampionatin që në fazën e tij të parë. Megjithatë, mesfushori i kombëtares afrikanojugore, Siphiwe Tshabalala, rrëfen se ai është krenar për atë që arriti skuadra e tij dhe se kjo kupë bote ka ndryshuar vërtet jetën dhe vendin e tij.

Me golin tuaj brilant në ndeshjen e çeljes së kampionatit kundër skuadrës së Meksikës ju keni gjeneruar një entuziazëm të jashtëzakonshëm jo vetëm në vendin tuaj, por në të gjithë Afrikën. Në fund, skuadra juaj mundi edhe vetë Francën një nga favoritet fillestare të kampionatit. Por së fundi, skuadra juaj u bë edhe e para e një vendi organizator që u eliminua që në fazën e parë. Ishte kjo zhgënjyese?

Për mua gjithçka ishte fantastike. Një sukses i jashtëzakonshëm.
Ishte Kupa ime e parë e Botës, e para që organizohej në Afrikë dhe unë isha i pari që shënova golin e parë në këtë kampionat. Deri më tani ky është kulmi i karrierës sime.

Ka disa analistë në shtypin afrikanojugor që e cilësuan shumë të madh këtë dështim për skuadrën tuaj.

Ne dhamë maksimumin tonë, por humbëm keq me Uruguain ndeshje në të cilën hëngrëm 3 gola. Në golin e dytë u dekurajuam, por kishte dhe shumë parregullsi, të cilat arbitri nuk i vuri në dukje dhe kjo na dekurajoi. Por tashmë nuk mund të kthehemi pas, sepse nuk do të zgjidhnim gjë.

Së fundi, anëtarët e organizatës afrikanejugore të futbollit kanë deklaruar se loja juaj ishte zhgënjyese. A është e justifikuar kjo kritikë?

Pjesa më e madhe e lojtarëve të kombëtares sonë nuk kishin pasur më parë një përvojë të përmasave të tilla dhe të them të drejtën nuk prisja një reagim të tillë negativ nga shefat e futbollit. Sapo u eliminuam filluan që të shanin duke e parë gjithçka në një dritë negative që ishte një trajtim krejtësisht i kundërt me atë që patëm para kampionatit. Fillimisht na thanë se e kishim ndryshuar tërësisht kombëtaren tonë dhe se mund të ishim krenarë për këtë dhe më pas se e kishim shkatërruar. Unë mendoj se ne u sollëm gëzim afrikanojugorëve të zinjve dhe të bardhëve së bashku.

A ua ka ndryshuar jetën kjo përvojë?

Plotësisht. I bëra njerëzit krenarë me përpjekjen time. Askush nuk do ta harronte një përvojë të tillë.

Ideja ishte që skuadra të bënte bashkë një vend si i juaji i ndarë mes të bardhëve dhe të zinjve për një kohë të gjatë dhe këtë ta realizonte përmes lojës futbollistike në këtë Kupë të Botës. A e ndienit përgjegjësinë që kishit mbi supe përtej lojës së futbollit?

Po e kemi ndier gjatë gjithë kohës kur u kthyem nga trajnimi në Gjermani në fund të prillit dhe kur luajtëm 5 ndeshje miqësore në shtëpi. Aty filluam që të bindim njerëzit dhe të fitonim zemrat e tyre.

Dy ditë para ndeshjes së parë, organizata e futbollit dërgoi një autobus të hapur për të marrë skuadrën e futbollit nga Johanesburgu. Trajneri juaj, Carlos Alberto Perreira, nuk e pëlqeu një ide të tillë.

Ndoshta nuk ishte vendimi i duhur dhe pak i tepruar, por aty pamë me sytë tanë se sa të dhënë ishin të gjithë pas skuadrës sonë dhe se kishim me vete gjithë kombin. Nëpër rrugë, njerëzit na përshëndesnin dhe na dhanë shumë dashuri. Mund të ishin mbi 200 mijë persona që na shoqëruan gjatë gjithë rrugëtimit. Nuk kam parë kurrë aq shumë njerëz së bashku të valëvitnin flamurin tonë dhe t’u binin vuvuzelave si në një festë gjigante. Ne menduam se gjithë ky entuziazëm do të na ndihmonte dhe do të na ndihmojë edhe në kohë të vështira. Sigurisht që ishte edhe një përgjegjësi shumë e madhe nga ana tjetër dhe e ndjemë se nuk duhet që t’i zhgënjenim.

Po në shtëpinë tuaj si ishte atmosfera?

Një natë para ndeshjes mora një telefonatë nga familja ime. Ata e nxorën telefonin në ballkon që unë të dëgjoja entuziazmin e njerëzve. U preka.

Ju vini nga një qytezë e vogël që quhet Phiri dhe që është pjesë e Sowetos.

Kam pasur një fëmijëri të mirë atje. Familja ime nuk ishte e varfër, sigurisht as e pasur dhe ky ishte një lloj avantazhi. Jeta shkonte mirë. Im atë punonte si shofer taksie dhe ne jetonim në shtëpinë e gjyshes. Kushërinjtë, të afërmit dhe prindërit e mi jetonin me ne. Ishte një shtëpi e madhe me shumë dhoma dhe me shumë zhurmë e fëmijë.

Sa veta jetonit nën të njëjtën çati?

Nuk i kam numëruar ndonjëherë, por nja 10 besoj. Për fat në atë kohë unë isha në gjendje që t’u blija prindërve të mi një shtëpi dhe më pas bleva edhe një për vete. Kam një motër të vogël që është 11 vjeç dhe i pëlqen shumë futbolli.

Kapiteni i skuadrës suaj, Aron Mokoena, ka rrëfyer se kur ishte në moshën 11-vjeçare i është dashur që të fshihet e madje të maskohet si vajzë, sepse në atë kohë disa grupe të caktuara ishin vënë në kërkim të djemve për t’i vrarë. A keni përjetuar ju në fëmijërinë dhe rininë tuaj situata të rënda?

Jo unë personalisht, por prindërit e mi. Gjatë kryengritjes në Soweto në vitin 1976 ata ishin studentë.

Në atë periudhë, qindra zezakë u qëlluan për vdekje vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës...

Po, dhe prindërit e mi më tregojnë shpesh për atë periudhë të errët

Sa gjuhë të huaja flisni?

Zulu, anglisht dhe sotho. Flas edhe tri të tjera, por jo rrjedhshëm dhe mund të kuptoj pak a shumë të gjitha gjuhët afrikane.

çfarë shkollimi keni?

Kam ndjekur tri shkolla dhe më pas kam vendosur që të bëhem edhe futbollist profesionist. Ne kemi shkolla të posaçme për futbollistët.

Të bëhesh futbollist nuk është ndonjë vendim shumë i vështirë, apo jo?

Si të gjithë fëmijët edhe unë kam qenë shumë i dhënë pas futbollit, madje që në moshë të hershme. Së pari, kam luajtur për fëmijët, më pas për të rinjtë dhe sigurisht që në fund te të rriturit. Shkolla e futbollit nga shtëpia ishte larg dhe më duhej që të shkoja e të vija me tren. Para nuk kisha dhe për të fituar paratë e biletës bëja çdolloj pune që të më dilte. E nëse nuk gjeja punë, atëherë ecja vetë dhe më shkonte dy orë deri në shtëpi.

Ju u thirrët shumë shpejt për skuadrën e parë të kombëtares, ndërsa luanit në kategorinë e dytë.

Po, dhe në atë moshë kam qenë 20 vjeç.

Kur keni luajtur për herë të parë me lojtarë të bardhë?

Si fëmijë kurrë. Kam luajtur disa ndeshje si adoleshent. Të bardhët nuk janë aq të talentuar sa zezakët, por ata janë shumë të hapur për të mësuar dhe për të punuar. Ata mësojnë shpejt dhe janë sistematikë. Ata dinë se si të jenë të suksesshëm në jetë. Ne nga ana tjetër jemi shumë të aftë, por të plogësht dhe përtacë.

Skuadra juaj kombëtare kaloi 3 muaj trajnimi në Gjermani. A ishte një gjë e tillë vërtet e domosdoshme?

Ne u përpoqëm që të gjenim njëfarë identiteti në tërësinë e lojërave të ndryshme që do të shpaloseshin në botëror. Dhe gjetëm një të mesme të artë mes stilit teknik afrikan dhe disiplinës europiane. Kjo na bëri shumë më të zotët dhe më të mirë në lojë. Sigurisht që ishte një vendim i duhur. Ishte një periudhë gjatë së cilës punuam shumë si në terren, ashtu edhe në anën praktike.

Pas fitores suaj kundër Francës, por edhe në fund të aventurës Presidenti i vendit, Zuma, ju bëri një vizitë. çfarë ju tha?

Ne u befasuam kur e pamë atë aty. Ai na inkurajoi, na falënderoi dhe na tha se kombi ishte krenar për ne.

Në vitin 2009, Clint Eastwood drejtoi filmin “Invictuus” që fliste për një skuadër rekbie afrikanojugore që fitoi Kupën e Botës në vitin 1995. Skuadra e rekbisë ishte simbol i aparteidit.

E kam parë atë film një ditë para ndeshjes së parë. Në fakt, e kemi parë të gjithë si skuadër dhe më pas e kam parë edhe vetëm. M’u duk një film shumë frymëzues. Ka një episod në film gjatë të cilit gjërat po shkojnë keq për skuadrën e futbollit dhe Madiba fton kapitenin për të pirë bashkë kafe. Ai i rrëfen kapitenit për jetën e tij në burg dhe për besimin në vetvete. Ne e takuam edhe vetë Madibën një javë para ndeshjes në fondacionin “Mandela”.

Cila është domethënia e kësaj kupe për njerëzit e Afrikës së Jugut?

Futbolli është i rëndësishëm, por është shumë më tepër se aq. Mos harroni se sa shumë vende pune janë krijuar gjatë gjithë kësaj kohe.

FIFA flet gjithmonë për trashëgiminë që lënë kampionatet e futbollit te njerëzit e vendeve që i organizojnë. Cila është trashëgimia e kësaj kupe për njerëzit e Afrikës së Jugut?

Disa nga punët do të përfundojnë me mbylljen e Kupës së Botës, sigurisht. Por vetë fakti i punësimit dhe i fitimit të parave nga njerëzit është një trashëgimi më vete. Njerëzit u paguan mirë dhe në kohën që u premtuan, pra premtimet u mbajtën dhe mbi të gjitha disa arritën që të vënë disa para mënjanë. Ne lojtarët e futbollit gjithashtu jemi përpjekur që të bëjmë donacionet dhe bamirësi me paratë e fituara nga loja jonë.

Goli që shënuat ju ka bërë të njohur te skuadrat europiane dhe shumë njerëz ua dinë tashmë emrin. Do të dëshironit që të luanit në Europë?

Vërtet e dinë emrin tim? Sa mirë! Sigurisht që edhe unë e ëndërroj të luaj në Europë dhe do të më pëlqente që të shkoja menjëherë aty. Nuk ka rëndësi se në çfarë vendi.

Në ligën e futbollit të Afrikës së Jugut, lojtarët kryesorë fitojnë 19 mijë dollarë në muaj.

Në muaj? Jo. Maksimumi është 3 mijë dollarë.

A keni marrë ndërkohë shpërblim për golin që bëtë?

Po, por jo për golin. Të gjithë kemi marrë shpërblim për pjesëmarrjen.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›