Siri, manifestime të mëdha në Homs

Rreth 200 mijë manifestues të carmatosur, sipas aktivistëve sirianë, u mblodhën të premten në Homs, qyteti i tretë më i madh i Sirisë, në një ditë të re protestash të mbështetura nga opozita.
Rreth dy muaj që nga nisja dhe deri më tani ka rezultuar pak efikase iniciativa e ndërmjetësimit të Lidhjes Arabe, pasi sirianët u mblodhën në shesh të premten, ditën e lutjes islamike, për të kërkuar rrëzimin e regjimit të Assad me parullën “Lidhja Arabe po na vret”.
Homsi është prej muajsh nën kontrollin e trupave të ushtrisë dhe atyre të sigurisë dhe lagje të tëra, me shumicë sunite, janë izoluar nga pjesa tjetër e qytetit.
Tubime u regjistruan edhe në qytete të tjera si Dayr az Zor, në lindje të vendit, Kamishli, në veri lindje dhe me shumicë kurde, si dhe në rajonin e Darasë.