Siri, vritet gazetarja japoneze

Një gazetare japoneze, Mika Yamamoto, është vrarë teksa raportonte për luftimet në Alepo të Sirisë, ka bërë me dije Ministria e Jashtme japoneze.
Zonja Yamamoto, 45 vjeç, ishte një korrespondente lufte për agjencinë “Japan Press”, me seli në Tokio.
Në momentin që u vra ajo ishte bashkë me një koleg, i cili identifikoi trupin për autoritetet, njofton më tej një zëdhënës i ministrisë.
Ende nuk dihet me saktësi momenti i vrasjes, por lajmi filloi të qarkullonte mbrëmjen e së hënës.
Trupi i saj është transferuar në Turqi, ka deklaruar Masaru Sato, një përfaqësues i diplomacisë japoneze për “Associated Press”.
Në një lajm të publikuar në agjencinë e lajmeve “Kyodo News”, Yamamoto përshkruhej si një gazetare veterane dhe fituese e shumë çmimeve.