E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siria, Annan mbërrin në Kinë

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, ka mbërritur në Pekin për të kërkuar mbështetje për iniciativën e tij që synon dhënien fund të dhunës në Siri.

Autoritetet kineze kanë deklaruar se shpresojnë që gjatë bisedimeve të gjendet një zgjidhje për konfliktin.

“Kina vlerëson dhe mbështet përpjekjet e zotit Annan dhe shpreson që kjo vizitë të shoqërohet me bisedime të thella për arritjen e një rezolute politike për çështjen siriane”, deklaroi të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hong Lei.

Duke folur nga Moska përpara largimit të tij, Annan tha se kriza nuk mund të lejohet të degradojë më tej dhe se duhet arritur një marrëveshje mes të gjitha palëve.

Rusia dhe Kina u kritikuan rëndë pasi vendosën veton ndaj dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonin dhunën, që thuhet se ka lënë mbi 8 mijë persona të vdekur.

Ndërkohë, grupet e opozitës siriane po takohen në Stamboll, në përpjekje për të arritur më shumë unitet në prag të samitit të ri “Miqtë e Sirisë” që do të mbahet më 1 prill.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›