E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siria trazon edhe Libanin

Dy persona raportohet se janë vrarë në Bejrut, në kryeqytetin e Libanit, në përleshjet në mes të grupeve që mbështesin dhe kundërshtojnë regjimin në vendin fqinj, Siri.

Agjencia e lajmeve AFP thotë se vdekja e këtyre personave fillimisht u raportua nga agjencia shtetërore e lajmeve në Liban.

Gjatë natës është raportuar për përleshje të tjera, ku janë plagosur disa persona.

Raportohet se këto incidente shpërthyen pas vrasjes së një kleriku sunit, që ishte kundër regjimit sirian.

Dhuna ka ngjallur shqetësime në lidhje me përplasjet e reja sektare në Liban mes sunitëve dhe shiitëve.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se NATO nuk ka për qëllim të përzihet në Siri për përfundimin e dhunës, por tha se aleanca dënon represionin e regjimit kundër popullatës.

"Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjendja në Siri, por NATO-ja nuk ka për qëllim të përzihet në këtë vend", tha Rasmussen në konferencën për shtyp në Chicago, në fund të ditës së parë të Samitit të Aleancës.

Sipas Rasmussen, mënyra më e mirë për gjetjen e daljes nga kriza siriane është plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, që parasheh ndërprerje të zjarrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›