Sistemi i drejtësisë, McIlwham: Të jetë i fortë dhe i pavarur
Ambasadorja britanike në Tiranë Fiona Mcilwham deklaroi në Shkollën e Magjistraturës se sistemi gjyqësor në Shqipëri duhet të jetë i fortë dhe i pavaruar, ashtu siç kërkohet nga Bashkimi Europian.
Diplomatja britanike duke folur në gjuhën shqipe tha se nuk është e rëndësishme vetëm të bëhet drejtësi, por duhet parë që kjo drejtësi po bëhet.
“Shteti i së drejtës dhe drejtësia janë në themel të vlerave të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së dhe zemra e një demokracie funksionale dhe të suksesshme. Një sistem gjyqësor i fortë dhe i pavarur është një kërkesë që Shqipëria të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Për gjithë këto arsye, ne kemi dhe do vazhdojmë të fokusojmë mbështetjen tonë në reformën e drejtësisë në Shqipëri”, u shpreh ambasadorja.
Sipas saj, meritokracia, pavarësia, profesionalizmi dhe respekti për të drejtat e njeriut janë kërkesa të detyrueshme për çdo gjyqtar, apo aktor të sistemit të drejtësisë.
Në vlerësimin e ambasadores, mungesa e ndonjërës prej tyre ka një impakt negativ mbi besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë duke shtuar se nuk duhet vetëm të bëhet drejtësi, duhet parë që po bëhet drejtësi.
“Sa më shumë zhvillohet Shqipëria dhe sa më shumë i afrohet BE-së, mund të ketë shumë ndryshime dhe reforma në sistemin e saj ligjor. Roli i Shkollës është të bëjë të mundur që profesionistët që ushtrojnë profesionin të jenë të azhurnuar më këto ndryshime që janë edhe çelsi i intregrimit dhe progresit të Shqipërisë”, insistoi ambasadorja.