E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siti, një tjetër goleadë, kundërpërgjigjen rivalët

ANGLI- Mançester Siti merr një tjetër fitore, e 12-ta në 14 ndeshjet e para të kampionatit, duke avancuar më tej në krye të Premier Ligës Angleze. Ndaj Noruiç, të besuarit e Roberto Mançinit kanë dhuruar goleadën e radhës, duke fituar 5-1 dhe duke vendosur hegjemoninë tashmë. Ata kanë replikuar menjëherë, pas fitores së Çelsit në mesditë ndaj Njukasëll. “Kanarinat” kishin qenë një kundërshtar aspak komod për ekipet e tjera, por jo për Sitin. Në pjesën e parë, Aguero zhbllokoi shifrat me një prekje të një klasi të lartë mes 4 lojtarëve kundërshtarë. Në pjesën e dytë, Siti ka “ndezur motorrët”. Një goditje e Samir Nasri sjell gafën e portierit Rudi dhe rezultati shkon në 2-0. Më pas, është Jaja Ture që e çon rezultatin në 3-0, me një gol me kokë. Miqtë u kundërpërgjigjën me një gol të Morison, por në minutat finale, “Citizens” shënuan sërish. Mario Baloteli, i futur në fushë në minutat e fundit, shënoi golin e katërt, duke realizuar me gjoks. Në kohën shtesë, një tjetër zëvendësues, Adam Xhonson, realizon edhe golin e pestë, duke vulosur kështu këtë takim. Fitorja i ka dhënë Sitit 3 pikë të tjera, por edhe një moral të lartë në prag të ndeshjes me Bajernin në Champions League.

MANÇESTERI
Fitorja e Mançester Sitit ka gjetur reagimin e Mançester Junajtid, që në ndeshjen e fundit të luajtur dje, ka fituar 1-0 ndaj Aston Vilës në transfertë. Një gol i shënuar nga Fil Xhons në minutën e 20-të u ka mjaftuar “Djajve të Kuq” të dalin me 3 pikë nga “Villa Park”, duke ruajtur diferencën prej 5 pikësh nga Mançester Siti.

EKIPET LONDINEZE
Java e 14-të ka nisur me supersfidën mes Çelsit e Njukasëllit, në fushën e “qymyrxhinjve”. Blutë e Londrës kanë triumfuar 3-0, duke përfituar edhe nga një kundërshtar jo në ditën më të mirë, por që gjithsesi arriti të godasë tre herë shtyllën. Pas humbjes në Carling Cup, trajneri Vilas Boas ka ditur të rikthejë Çelsin te fitorja. Në minutën e 14-të, londinezët patën luksin të humbisnin edhe një penallti, të fituar nga Starrixh dhe të gjuajtur keq nga Lampard. Më pas, dy raste të mira për Starrixh, që nuk shënoi, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Didier Drogba mposhti me kokë portierin Krul. Në pjesën e dytë, Njukasëll ka qenë disi më mirë, por Çelsi ka kontrolluar lojën, duke shënuar golin e dytë me anë të Salomon Kalu 2 minuta para fundit. Në shtesë, Starrixh bëri atë që nuk pati bërë për 90 minuta, duke shënuar. Ndërkohë, ka fituar edhe Arsenali, që mposhti thellësisht 4-0 Uiganin në transfertë. Arteta, Vermalen, Zhervinjo e Van Persi realizuan për “Topçinjtë”, që ngjiten në kuotën e 26 pikëve. Ndërkohë, e lehtë për Totenhemin, që në shtëpi mundi 3-0 Boltonin.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›