“Situata është nën kontroll, opozita të ndalë deklaratat e papërgjegjshme”

Deklaron Ministri i Energjetikës, Dritan PriftiMinistri i Energjetikës, Dritan Prifti u shpreh dje se situata në liqenin e Fierzës është nën kontroll ndërsa shkarkimi i ujit është ndalur. Ministri Prifti bëri me dije se shqetësimi i vetëm përkohësisht mbetet ulja e nivelit të Fierzës, pas stabilizimit të kaskadës së Drinit dhe Komanit. “Situata në kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit është përmirësuar, për shkak të prodhimit maksimal të tij me 28.8 milionë kilovat/orë energji nga e cila kemi konsumuar 23.2 milionë kilovat/orë ndërsa pjesa tjetër është eksportuar dhe nga shkarkimi i skajshëm kemi mundur që në Fierzë të ulim nivelin e ujit me 75 cm. Për momentin niveli i ujit në Fierzë është 292, 27 m, në Koman 174, 4 m dhe gjatë natës ka pësuar rritje për shkak të shkarkimeve në Fierzë. Në Fierzë për momentin është ndaluar shkarkimi, duke punuar me kapacitet të plotë me katër turbina, në Koman shkarkohet 300 m3/s punohet me katër turbina dhe Vau i Dejës shkarkon 600 m3/s punohet me pesë turbina”, u shpreh ministri Prifti.Ministri i Energjetikës nënvizoi se situata është nën kontroll dhe e disiplinuar për momentin, por varet shumë edhe nga kushtet e motit të cilat parashikohen që të vijojnë më reshje në ditët në vijim. “Këtë emergjencë po e monitorojmë nga afër me grupe të tëra të KESH, OST, OSSH dhe të ministrisë, të cilët janë në vëzhgim të vazhdueshëm pa pushim për të bashkë menaxhuar situatën me grupet e gatshme atje”, vijoi ministri Prifti.Ai shtoi se një dëm shumë më i madh mund të vinte nga rritja e nivelit të Fierzës 296 m, i cili është niveli maksimal i liqenit, dhe kalimi i këtij niveli do të na çonte në katastrofë kombëtare. “Kemi evituar një katastrofë duke kontrolluar nivelin dhe shkarkimet”, tha Prifti.Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, iu referua edhe qëndrimit të opozitës, duke kërkuar prej saj që të mos lutet për katastrofa dhe ngjarje tragjike. “Opozita të kontribuojë në këto momente të vështira dhe jo të lutet për katastrofa, aq më pak me ekspertë që nuk kanë punuar asnjë ditë në energjetikë dhe nuk kanë asnjë njohuri në këtë fushë”, vuri në dukje Prifti, duke shtuar se “unë kam thirrur në konsultime private ekspertët më të mirë në vend të energjetikës, ata që sot paguhen për këtë punë, por edhe ata që kanë punuar në energjetikë për shumë dekada si, Farudin Hoxha, Jorgaq Kaçani, Marenglem Gjonaj, Stavri Peci, Bardhyl Shehu, Astrit Qemo, Sotiraq Pandazi, duke dashur në këtë mënyrë të bëjmë më të mirën e mundshme”.Gjithashtu, ministri i Energjetikës tha se në sajë të reshjeve të mëdha të shiut, HEC-et kanë punuar me kapacitete maksimale, duke bërë të mundur kështu eksportimin e një sasie energjie prej 12.2 milionë kilovat orë, ndërkohë OSSH importon vetëm 7.4 milionë kilovat orë....