E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata ne Mitrovice serbet mbajne nen kontroll rruget

Barrikadat e vendosura në rrugët kryesore në veri nga strukturat paralele kanë krijuar një gjendje të rëndë për banorët e fshatrave shqiptare që jetojnë në këtë pjesë, të cilët prej pesë ditësh pothuajse kanë mbetur të izoluar. Banorët e fshatit Çabër, të banuar me shqiptarë  i ndan vetëm një rrugë nga zinxhiri i fshatrave të banuar me serbë në komunën e Zubin Potokut.

Serbët kanë bllokuar rrugën magjistrale që lidh jugun e qytetit me pikën kufitare 31në Zubin Potok, duke hedhur krahas zhavorrit edhe beton në fshatin Zupçë. Flamujt serb siç shihet janë vendosur në shtyllat elektrike në pjesën e kontrolluar nga serbët, ndërsa një patrullë policore dhe disa automjete të KFOR-it kujdesen për sigurinë e banorëve në këtë pjesë.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri në një intervistë për Albanian Screen thotë se tensionet në këtë pjesë po rriten për ditë e më shumë dhe për këtë arsye janë rritur edhe masat e sigurisë

“Realisht jemi në dijeni se situata është tensionuar bukur shumë dhe dita ditës sikur po tensionohet. Për fat të mirë deri tash nuk kemi pasur incidente ndër etnike....Nga informacionet që kemi situata nuk është e mirë në fshatrat e rrethinës së Çabrës. Mbrëmë ka pasur të shtëna por nuk është raportuar për ndonjë incident ndër-etnik apo të ndonjë lloji tjetër”, tha Haziri.

Banorët shqiptarë po shfrytëzojnë rrugët alternative për t’u furnizuar me ushqime pasi rrugët kryesore janë të bllokuara nga serbët.

“Rrugët kryesore që shpien për Zubin Potok janë të bllokuara mirëpo lëvizjet në atë pjesë po bëhen përmes rrugëve tjera që kalojnë nëpër fshatrat veriore Gushavcë dhe Virancë“, theksoi ai.

Kamera e Albanian Screen ishte edhe në afërsi të Rudarit që shpien për pikën kufitare 1 në Jarinje ku serbët kanë përforcuar barrikadat në rrugë. Bllokimi i rrugës ka bërë që banorët e pjesës veriore të kenë probleme të mëdha të furnizimit me ushqim. Komuna e Mitrovicës ka siguruar një kontigjent ushqimesh për banorët e Kodrës së Minatorëve, Lagjes së Boshnjakëve. Ndihma ushqimore nga komuna e Mitrovicës kanë marrë edhe mbi 30 familje serbe që jetojnë në veri, por të cilët nuk kanë pranuar të dalin para kamerave pasi ndihen të rrezikuar nga strukturat paralele.

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e hënë , 19 shtator 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›