Të fillojë dialogu

Zyrtarë të BE’së kanë kërkuar fillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të hënën, gjatë qëndrimit të Kryeministrit të Serbisë në Bruksel, Mirko Cvetkovic.
Kjo thirrje ka ardhur nga kreu i Komisionit Europian, Jose Manuel Baroso, i cili ka kërkuar që dialogu të nisë sa më parë, pasi kjo do të ishte në të mirë të të dyja palëve.
“Ne shpresojmë se, si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, do ta shfrytëzojnë këtë rast që t’i zgjidhin çështjet praktike, të cilat do të lehtësonin jetën e njerëzve në Kosovë”, ka thënë kryetari i Komisionit Europian.
Baroso, po ashtu, ka përshëndetur gatishmërinë e Beogradit për të nisur dialogun me Prishtinën.
Ndërsa Kryetari i Komisionit Europian ka thënë se përshëndet edhe gatishmërinë e Beogradit që t’i mbajë si dy çështje të ndara raportin e Dick Martyt në Këshillin e Evropës dhe dialogun me Prishtinën.
Kryetari i Komisionit Europian ka përsëritur edhe kërkesat që më herët i kishin parashtruar zyrtarë të tjerë të BE-së drejtuar Dick Martyt, që ai nëse ka prova, t’i paraqesë ato dhe të bashkëpunojë me EULEX-in gjatë hetimeve.
“Pohimet rreth krimeve dhe krimit të organizuar ne i marrim seriozisht, ndërsa lufta kundër këtyre dukurive, duhet të jetë obligim i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Kosovën”, është shprehur Baroso.
Sipas tij, kjo çështje mund të vazhdojë tutje vetëm nëse mblidhen dëshmitë, të cilat do të ishin të pranueshme edhe për gjykata.
Presidenti i Komisionit Evropian i ka dhënë këto deklarata, pasi nga Kryeministri i Serbisë, Cvetkovic, në Bruksel kishin marrë përgjigjet për pyetësorin, të cilin Komisioni Evropian i kishte dërguar Beogradit, në mënyrë që të përgatitet përgjigja për aplikimin e Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Kryeministri i Serbisë, Cvetkovic ka thënë se vendi i tij është i gatshëm për dialog dhe se vetëm me biseda mund të zgjidhen edhe çështjet më të komplikuara.
I pyetur për raportin e Dick Martyt, ai ka theksuar se Serbia, sipas tij, nuk dëshiron ta politizojë këtë raport, por kërkon hetime të pavarura në mënyrë që të gjendet e vërteta.
“Madje, edhe nëse këto hetime konfirmojnë atë çfarë është thënë në raport, ne nuk do ta kriminalizojmë një popull të tërë, por do të konsiderojmë se bëhet fjalë për raste individuale, ashtu siç individualizojmë edhe ngjarje të tjera që kanë ndodhur në territorin e ish-Jugosllavisë”, është shprehur Kryeministri i Serbisë, Cvetkovic.