Merovci: Deputetët e rinj, falë sistemit zgjedhor dhe fushatës efektive

Zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë ndryshuar strukturën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si duke e pasur parasysh faktin se një parti është hequr dhe një tjetër ka hyrë në Kuvend, ashtu edhe sa i përket ndryshimit të përmbi 60 për qind të deputetëve që kanë qenë deri më tani.
Nga 34 deputetë, në rendin e ulëseve të Partisë Demokratike të Kosovës, në Kuvend do të jenë 21 deputetë që nuk kanë qenë asnjëherë me parë pjesë e legjislativit të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka një numër të madh të deputetëve të rinj. Nga gjithsej 27 mandate, 15 janë deputetë që nuk kanë qenë asnjëherë me parë deputetë, ndërsa tre të tjerë kanë qenë në legjislaturat tjera, qoftë si pjesë e LDK-së, qoftë si deputetë të subjekteve tjera, por që tani i janë bashkuar LDK-së.
Edhe lista e deputetëve të AAK-së ka ndryshuar dukshëm, ku nga 12 deputetë 8 janë që nuk kanë qenë më herët pjesë e Kuvendit të Kosovës, ndërsa AKR-ja, e cila ka fituar 8 ulëse në Kuvend, prej tyre tre nuk kanë qenë asnjëherë deputetë, ndërsa një ka qenë në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës.
Njohësi i proceseve zgjedhore, Adnan Merovci ka thënë se ky rifreskim i madh që ka ndodhur në legjislaturën e re, është si rezultat i një kompleksiteti të sistemit zgjedhor dhe i mënyrës së kandidimit dhe votimit të kandidatëve të subjekteve politike.
“Për ta thënë më thjeshtë, një është vetë sistemi zgjedhor që ka lejuar dhe është një zonë zgjedhore dhe janë votuar pesë kandidatë dhe me këtë kanë bërë që kandidatët jo shumë publik kanë lobuar dhe e kanë bërë një fushatë efektive dhe kjo do të thotë që gjithandej Kosovës ku kanë pas shoqëri, farefis dhe fansa kanë pasur mundësi dhe aftësi për të lobuar dhe për të marrë vota dhe këtë ua ka mundësuar vetë sistemi zgjedhor, ku inkorporohet edhe subjekti politik. Dhe aspekti i dytë është vetë një proces pak a shumë që e gjeneron figurën e re dhe që ndodhë si rezultat i pretendimeve të votuesve për të sjellë një frymë të re, por krejt këtë e kanë mundësuar edhe subjektet politike, sepse fundja subjektet politike janë ato që kanë kandiduar kandidatët në listat zgjedhore”, ka thënë Merovci, për Kosovapress.
Merovci konsideron se mënyra më e mirë për të pasur një proces korrekt zgjedhor, është që në listën votuese mos të ketë të drejtë të votohet më shumë se një kandidat dhe të ketë të paktën shtatë zona zgjedhore.
Ndarja e Kosovës në zona zgjedhore, sipas tij nuk është një punë që nuk mund të bëhet dhe se një gjë e tillë duhet të ekzistojë patjetër në zgjedhjet e ardhshme.
“Sa i përket zonave zgjedhore nuk është ndonjë problem i madh, mirëpo dihet se këtu tek ne, ndarja e zonave e inkorporon edhe çështjen e decentralizimin si aktivitet i paraparë me pakon e Ahtisarit dhe kjo ende është në proces, pastaj është veriu i Kosovës, një regjistrim i mirëfilltë nuk ka qenë. Pra çështja e ndarjes në zona zgjedhore është pak a shumë një punë paraprake, që duhet të bëhet dhe unë mendoj se në zgjedhjet e ardhshme, kjo do të ndodhë dhe është në kuadër të kërkesave shumë të mëdha edhe të opinionit dhe të krejt grupeve të interesit që zonat zgjedhore të jenë më shumë se një”, ka thënë Merovci.
Nga zgjedhjet e 12 dhjetorit ka rezultuar që në të gjitha partitë përqindja e deputetëve që ulen për herë të parë në ulëset e Kuvendit të jetë më i madh se 60 për qind, përderisa nga ata që nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme ka edhe ish shefa të grupeve parlamentare, sikur që është Ramë Buja i PDK-së, pastaj dy anëtar të kryesisë Naim Maloku i AAK-së dhe Ibrahim Gashi i AKR-së, si dhe Nexhat Daci, partia e të cilit nuk e kaloi fare pragun zgjedhor.
Freskimit të legjislaturës së re të Kuvendit, në masë të madhe i ka kontribuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila për herë të parë hyn si subjekt parlamentar me 14 deputetë. /kosovapress/