S’ka “të mëdhenj”, Duka sytë nga Bonaçiç e Kempes
Emri i trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare vazhdon të mbetet një rebus. Drejtuesit e FSHF-së kanë zhvilluar takime dje me disa trajnerë të huaj në Vjenë, por mësohet se nuk është arritur asnjë akord verbal me ndonjërin prej tyre. Burime nga Federata bëjnë të ditur se Duka është takuar dje me ish-trajnerin e Dinamos, Luka Bonaçiç, me ish-trajnerin e Lushnjes, Mario Kempes dhe me përfaqësues të teknikut të Gallatasarait, Bylent Korkmaz. Bisedimet kanë qenë standarte, ku secila palë ka bërë të qarta kushtet e veta, por krerët e Federatës nuk kanë dashur t’i bëjnë asnjërit prej tyre ndonjë premtim. Mësohet se Duka dhe dy asistentët e tij, Kasmi e Nuri, do të kthehen sot në Tiranë, për t’u konsultuar edhe me specialistë të FSHF-së në lidhje me kandidaturat me të cilat është diskutuar si dhe për aspektin financiar. Ndryshe nga herët e tjera, ndonëse Federata deklaroi pak ditë më se ka një listë të gjatë me kandidatë, numri i të interesuarve ka qenë më i vogël se herët e tjera. Zyra për shtyp e FSHF-së ka bërë të ditur dje se do të diskutohen në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së disa nga kandidatët që janë vetëofruar për të zënë vendin e lënë bosh nga trajneri Ari Han. Dukës i pëlqen shumë serbi Ljupko Petroviç, por ka pak gjasa që t’ia besojë atij kreun e pankinës kuqezi, edhe për shkak të reagimit të tifozëve.