E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela i bën nder Bajernit, Duro shpërthen me Omonian

 

Volfsburgu kishte shansin më të mirë për të shtuar diferencën me ndjekësit në renditjen e kampionatit gjerman, duke iu afruar titullit kampion dhe mund ta bënte këtë gjë vetëm duke marrë tri pikët në transfertën kundër Kotbusit. Gjithsesi, skuadra e Magat dështoi në arritjen e këtij objektivi, pasi mesfushori Ervin Skela dhe pjesa tjetër e lojtarëve të Kotbusit, u shkaktuan një humbje dëshpëruese kryesuesve të kampionatit gjerman. Përballë një skuadre që lufton për të siguruar mbijetesën në Bundesligë, kryesuesit e kampionatit nuk arritën të merrnin asnjë pikë. Ndeshja u karakterizua nga raste të shumta nga të dyja ekipet, gjithsesi në minutën e 72-të ka qenë Rangelov, ai që kaloi në avantazh vendësit e Kotbusit. Kaq mjaftoi që kryesuesit të rritnin ritmin e lojës dhe t’i afrohen disa herë golit. Por, kur dukej se miqtë mund të barazonin, ka qenë mesfushori shqiptar, Ervin Skela, ai që mori një top në afërsi të zonës dhe me një goditje diagonale arriti të mundë portierin kundërshtar dhe të sigurojë fitoren për skuadrën e tij. Një trepikësh shumë i rëndësishëm në luftën për mbijetesë, që e nxjerr skuadrën e Kotbusit jashtë zonës së ftohtë. Nga ana tjetër, fitorja e tyre u bën nder ndjekësve të Bajernit të Mynihut dhe Hamburgut, të cilët i shpëtuan mundësisë që Volfsburgu të shtojë diferencën. Kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje nga fundi, lufta për titull dhe ajo për mbijetesë vazhdon të jetë mjaft e hapur dhe pritet të vendoset pikërisht në takimet e fundit. Diferenca mes kreut dhe ekipeve ndjekëse vazhdon të jetë tri pikë. Kotbusi i Skelës renditet i 15-ti me 26 pikë të grumbulluara.
Duro
Klodian Duro ka rigjetur rrugën e goliut dje teksa ka shënuar golin e dytë në takimin që Omonia Nikosia fitoi 2-0 përballë Ael Limasolit. Në minutën e 90-të të takimit, mesfushori i Kombëtares shqiptare ka shfrytëzuar mirë një pasim nga e djathta dhe në dalje të zonës ka gjuajtur fuqishëm duke kapur të papërgatitur portierin kundërshtar. Ky ishte goli i gjashtë në kampionat për mesfushorin shqiptar me fanellën e skuadrës qipriote dhe i 11-ti sezonal për të. Duro është shprehur mjaft i kënaqur për golin dhe ka thënë se është rikthyer në formë të mirë. Në fund të takimit lojtari është vlerësuar maksimalisht edhe nga media qipriote.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›