E Diel, 1 Nëntor 2026

S'ka tolerime, Skënderbeu "ngec" përballë Dinamos

TIRANE- Dinamo i ka shkëputur një pikë Skënderbeut, në ndeshjen e fundit të javës së dytë, të zhvilluar mbrëmë në "Qemal Stafa". Edhe pse me një ekip të mbushur me të rinj, Dinamo ka treguar se kur nuk toleron, mund të marrë pikë ndaj korçarëve. Ndeshja pritej me një kërshëri të madhe, pasi vinte pas dy sezonesh kur blutë kishin hapur portën ndaj Skënderbeut. Skuadra korçare pati fituar rregullisht ndaj Dinamos, në ndeshje që kanë mbetur në histori për mënyrën sesi kanë shkuar gjërat në fushën e lojës, Por, njëherë të vetme që skuadra kryeqytetase nuk toleroi, Skënderbeu u ndal, pavarësisht se në fushë ka patur një skuadër shumë herë më cilësore. Dinamo pati një kohë shumë të shkurtër për të formuar ekipin dhe në fushë nuk është parë skuadra e zakonshme e futbollit shqiptar. Por, sërish futbolli i luajtur prej saj, i ka lënë të kënaqur tifozët e paktë të pranishëm në "Qemal Stafa". E në fakt, blutë kanë qenë ata që kanë dominuar, duke goditur madje edhe shtyllën në pjesën e parë. Por, mungesa e fatit dhe një kundërshtar shumë i fortë në emra, kanë bërë që ata të mos marrin më shumë se një pikë.
Skënderbeu
Për Skënderbeun, ndeshja e djeshme ka qenë barazimi i dytë radhazi pa gola, pas atij me Tomorin një javë më parë. Një tregues se korçarët nuk janë më aq të frikshëm edhe pse në letër mbeten ndoshta skuadra më cilësore e kampionatit. Dy pikë në dy ndeshje janë një ecuri aspak e mirë për një skuadër që është kampionia në fuqi e vendit. Por, treguesi më i keq mbetet fakti se korçarët nuk kanë gjetur ende golin e parë për këtë sezon, ndonëse në letër nuk kanë patur ndeshje aq të vështira. Sfida e djeshme për më tepër, ka parë një Skënderbeu të dobësuar dhe ka treguar se kjo skuadër ka nevojë për një përforcim në sulm.
Pankina
Barazimi i dytë radhazi, për më tepër pa shënuar asnjë gol, e kanë vënë seriozisht në rrezik postin e Shpëtim Duros në krye të ekipit korçar. Paralajmërimet në fakt kanë ardhur edhe në ditët e shkuara, por barazimi i djeshëm, ndaj një skuadre që është krijuar vetëm në minutat e fundit dhe për më tepër me shumë futbollistë të rinj, pritet që të ketë jo pak pasoja për Duron. Gjithsesi, drejtuesit e Skënderbeut kanë treguar se dinë të jenë të duruar përsa i përket çështjes së trajnerit, ndonëse gjithçka ka një limit. Skuadra nuk duket ajo e frikshmja e një sezoni më parë dhe javën e ardhshme, përballë do të jetë një tjetër skuadër që mbrohet mjaft mirë, Shkumbini.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›