E Hënë, 2 Nëntor 2026

Toro: BE është e shqetësuar për ligjin e pronave

25/02/2005  Përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi me Drejtësi ka deklaruar shqetësimet para task forcë

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agim Toro, është shprehur dje se në takimin mes palës shqiptare dhe grupit të punës së BE-së është ngritur shqetësimi për vonesat në zbatimin e ligjit të pronave. Sipas Toros, i cili është dhe anëtar i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në takim është kërkuar "të fillojë zbatimi i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave". Sipas tij, "arsyet që nuk ka filluar akoma zbatimi i ligjit janë objektive dhe subjektive. Arsyet objektive kanë të bëjnë me miratimin e metodikës nga Kuvendi, pasi pa këtë miratim nuk mund të fillojnë punën komisionet vendore. Dhe arsyet subjektive janë pjesa administrative". Ndërkohë, në këtë takim, nga pala e qeverisë shqiptare është premtuar se brenda muajit mars do të fillojë zbatimi i ligjit. Gjatë takimit të grupit konsultativ është kërkuar se në çfarë stadi ndodhet aktualisht zbatimi i ligjit, veçanërisht për pronarët. Sipas Toros, nga përfaqësuesit evropian është kërkuar nëse "pronarët kanë mundësitë institucionale për të shprehur ankimet dhe kërkesat e tyre dhe kur do ta kenë këtë rrugë të hapur?". Aktualisht, nga grupi konsultativ nuk është bërë ndonjë vlerësim konkret për problemet dhe zhvillimet që mbart në vetvete zbatimi i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave nga qeveria shqiptare. Sipas Toros, një vlerësim për metodikën e hartuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë. Sipas kryenegociatores shqiptare, Ermelinda Meksi, "çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave ka përbërë një problematikë të vazhdueshme, pasi ndikon jo vetëm mbi zhvillimin e përgjithishëm ekonomik të vendit, por edhe garanton në të njëjtën kohë të drejtën themelore ekomomike, atë të së drejtës së pronës".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›