Skandal në Bernabeu
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pranuar se ekipi i tij nuk ka gjasa të kalojë në finale të Ligës së Kampionëve, pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë nga rivali Barcelona në Santiago Bernabeu.
Mourinho ishte dërguar në tribuna gjatë ndeshjes së tensionuar që portieri i dytë i Barcelonës, zëvendësuesi Pinto ishte përjashtuar në fund të pjesës së parë para se mbrojtësi i Realit, Pepe të ndëshkohet me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Daniel Alvesit.
Lionel Messi shfrytëzoi përparësinë numerike dhe realizoi dy gola, ndërsa Mourinho mendon se skuadra e tij tashmë është eliminuar.
“Ndeshja e kthimit është mision i pamundur. Barcelona është kualifikuar për në finale. Nganjëherë ndihem i ngopur nga kjo bota e jona e futbollit. Po, ne tashmë jemi eliminuar”, tha Mourinho.
Strategu portugez vazhdoi kritikat e tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke përmendur rekordin e Barcelonës të ndeshjeve kundër dhjetë futbollistëve, përfshirë fitoren e tyre ndaj Chelseas në gjysmëfinale 2009.
“Kam vetëm një pyetje: pse?. Pse Ovrebo (Chelsea-Barcelona, gjysmëfinalja 2007), Busacca (Barcelona-Arsenali këtë vit në Ligën e Kampionëve). Stark ? Në secilën gjysmëfinale është njësoj. Fjala është për një ekip të shkëlqyeshëm. Pse Chelsea nuk shkoi në finale? Pse Inter u desh të shpëtojë nga një mrekulli? Urime Barcelonës! Por nuk e kuptoj pse Barcelona gjithmonë ndihmohet nga gjyqtari. Gjithë jetën time e kam pyetur veten për këtë dhe shpresoj që një ditë të marr një përgjigje”, shtoi ai.
Mourinho nuk u ndal me kaq. “Pse kundërshtarët e Barcelonës gjithmonë kanë një futbollist të përjashtuar? Prej nga vjen kjo fuqi? Ndoshta për t’i bërë më tepër publicitet UNICEF-it, ndoshta për shkak të fuqisë së (presidentit të Federatës spanjolle Jose Angel) Villar në UEFA”, theksoi ai.
Sa i përket homologut të tij Pep Guardiola, Mourinho tha: “Josep Guardiola është trajner i shkëlqyeshëm i futbollit, por Liga e Kampionëve që fitoi ishte e turpshme për shkak të asaj që ndodhi në Stamford Bridge, ishte një skandal. Dhe nëse e fiton edhe këtë vit, do të jetë pas këtij skandali në Bernabeu. Të shpresojmë të ketë mundësinë të fitojë Ligën e Kampionëve (në të ardhmen) në mënyrë të pastër, pa skandale”.
Me komentet e Mourinhos u pajtua edhe Cristiano Ronaldo. “Është gjithmonë njësoj. Ky është sezoni i katërt me radhë që ndodh diçka e tillë. Mourinho ka të drejtë, vetëm shikoni çka ndodhi me Arsenalin, Chelsean dhe Interin”, tha Ronaldo.
Barcelona raporton Mourinhon në UEFA ?
Barcelona ka njoftuar se mund të merr masa me UEFA-n kundër Jose Mourinhos, pas kritikave të trajnerit të Real Madridit ndaj klubit katalan. Barcelona nëpërmjet ueb faqes zyrtare të saj ka bërë të ditur se do të merr vendim pasi ekipi ligjor të analizojë konferencën për shtyp të Mourinhos.
UEFA: Real Madrid – Barcelona 0:4
Humbja 2-0 nga Barcelona ishte rezultat mjaft i rëndë për Real Madridin. Por Federata evropiane e Futbollit (UEFA) në ueb faqen zyrtare gabimisht e ka dyfishuar rezultatin në favor të katalanasve duke shkruar se Barcelona fitoi 4-0. Duke pasur parasysh ankesat e Mourinhos, ky rast mund t’i shërbejë atij për të aluduar mbi ndonjë konspiracion të radhës.