Skandal në Uimbëlldon, bukuroshet kanë përparësi
Për të zhvilluar ndeshjen e turit të tretë kundër Roberta Vinçit, Serena Uilliams, ka humbur mes rrugicave të "All England Club". Tenistja amerikane nuk ishte mësuar të spostohej nga fusha nr. 2 e Uimbëlldonit: zakonisht ajo luan te qendrorja ose maksimumi te njëshi. Ky ishte vetëm një shembull për të treguar se organizatorët e turneut londinez i kanë kushtuar më shumë rëndësi pamjes fizike të sportisteve, përpara se të publikonin listën e ndeshjeve që do të mbaheshin në fushën kryesore. Sharapova, Kirilenko, Dulko, Kirstea, Azarenka: këto janë emrat e pesë tenisteve që luajtën aty gjatë ditëve të fundit. Sportiste bukuroshe, por që qëndrojnë mjaft poshtë në renditjen botërore. Maria Sharapova, e cila aktualisht klasifikohet e 60-ta, të paktën e ka fituar Uimbëlldonin në vitin 2004. "Daily Mail" ka ngritur dyshime përse Kirilenko (59), Dulko (45) e Kirstea (27) janë zgjedhur të luajnë aty përpara Serena Uilliamsit apo Dinara Safinas. Xhoni Perkins, zëdhënësi i turneut pohoi: "Bukuria është një faktor i rëndësishëm. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë të çuditshme". Natyrisht, lojtarët janë shprehur kundër përzgjedhjes që bazohet te pamja e jashtme fizike, pa marrë parasysh kualitetin. "Nuk më duket diçka normale, por nuk jam unë ajo që përcakton programin e sfidave", tha Safina. Fituesja e "Roland Garros", Kuznetsova u shfaq e habitur: "Venus Uilliams te fusha 1, Safina te 2-shi, e të imagjinosh që janë mes dhjetë më të mirave. Ndërsa vajzat që klasifikohen më poshtë luajnë te fusha qendrore… nuk e kuptoj çfarë po bëjnë". Ndërkohë, një burim anonim nga "BBC" konfirmoi për tabloidin: "Nëse një teniste është bukuroshe, audienca është më e madhe. Nuk ka asnjë dyshim".