Skandali, Basha i jep fshehurazi konviktin, universitetit privat të Irfan Hysenbelliut
Në mbledhjen e 28 dhjetorit të vitit 2011 Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi buxhetin e Bashkisë për vitin 2012. Në këtë mbledhje, këshilltarët e majtë dhe të djathte kanë miratuar edhe një fond për rikonstruksionin e konviktit të Shkollës së Gjuhëve të Huaja, ku aktualisht qëndrojnë 100 nxënës, si dhe fëmijët e jetimores “Zyber Hallulli”, për shkak të rikonstruksionit të godinës tyre.
Pas gjashte muajsh jo vetëm që rikonstruksioni i godinës nuk ka nisur, por po rezulton se kjo godinë nuk është më e domosdoshme për bashkinë dhe Ministrinë e Arsimit, ndaj ajo po i jepet me qira një universiteti privat, pasi drejtoria e konvikteve nuk përballon koston e mirëmbajtjes.
Top Channel siguron dosjen e plotë me të gjitha procedurat që vërtetojnë dhënien me qira të kësaj godine.
Dosja tregon qartazi se pas një kërkese të universitetit privat Luarasi, drejtuar kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha, për marrjen me qira të ambienteve të konviktit të Gjuhëve të Huaja, ky i fundit i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë nisjen e procedurave për dhënien me qira të këtij objekti shtetëror, i cili administrohet nga Bashkia e Tiranës. Godina është me pesë kate dhe ka një siperfaqe prej 3500 metër katrorë dhe numri i nxënësve që e përdorin atë aktualisht është 100.
Kostoja fillestare e kësaj godine është vlerësuar me 11.940.827 lekë dhe Drejtoria e Konvikteve ka kërkuar që kjo godinë të jepet me qira, sepse kostoja për mirëmbajtjen e saj është shumë e lartë dhe nxënësit që qëndrojnë aty të shpërndahen në konvikte të tjera. Sipas propozimit të drejtorit të konvikteve të shkollave të mesme, tarifa dysheme për dhënien me qira, sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të datës 8 qershor 2011 është jo më pak se 300 leke për metër katror. Procedura kërkon që më pas dosja të shkojë në Ministrinë e Ekonomisë, ku ministri i sapolarguar Nasip Naço, ka firmosur që të hapet tenderi për dhënien me qira të kësaj godine.
Burime jo zyrtare pohojnë se tenderi për dhënien me qira të këtij konvikti është përcaktur më 28 qershor, pra ditën e mërkurë. Deri këtu duket të jemi brenda procedurave zyrtare dhe nuk ka asnjë shkelje, por ka disa pyetje që hedhin hijet e dyshimit për skandalin e radhës me pronat publike:
Ku do të shkojnë nxënësit e shkollës së Gjuhëve të Huaja?
Nëse vërtet ky konvikt nuk është i nevojshëm, përse procedura për dhënien me qira nuk është bërë publike që të garojnë të gjithë, por mbahet ende sekret e madje as nuk pranohet nga institucionet që po e organizojnë.
Përse procedurat kanë nisur kur këtë e kërkoi universiteti privat Luarasi?
Nëse konvikti do të jepej me qera, përse ai nuk iu dha Universitetit Shtetëror të Tiranës, i cili po e zhvillon mësimin me tre turne për shkak të mungesës së ambienteve dhe e ka kërkuar më herët këtë konvikt dhe nuk i është dhënë me pretendimin se nuk kanë ku t’i dërgojnë nxënësit?/TCH
