Skandali i Plehrave. Gaçi: Kunati është i pari
Tiranë- Akuzat e djeshme të deputetit socialist Erjon Braçe, janë ripërsëritur sot nga një tjetër deputet i majtë, Artan Gaçi, i cili nga pika e grumbullimit të mbeturinave ka deklaruar se ky është biznesi i njerëzve të afërt kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Sipas Gaçit ky lloj biznesi i ngritur nga njerëzit e afërt të kreut të emëruar të Bashkisë është edhe aryseja pse u rrahën e keqtrajtuan romët në Tiranë, denoncoi deputeti socialist duke folur për mediat.
Kjo këtu mbrapa është arsyeja që shpjegon dhunimin e romëve nëpër rrugët e Tiranës ditën dhe natën nga Policia Bashkiake e kryeqytetit. Kjo godinë këtu mbrapa është prova që tregon arsyen e vërtetë të prurjes me aq urgjencë të atij ligji aq të kontestuar që ishte ligji i inportit të plehrave.
Duke treguar se si një grusht njerëzish të afër të pushtetit komandojnë të gjithë shtetin, në të gjitha strukturat e tij deri në KQZ, për interesa thjesht dhe vetëm materiale personale, deputeti socialist tha se: Kjo këtu mbrapa është arsyeja e vërtetë pse u pengua Referendumi i kërkuar nga 75 000 qytetarë.
Deputeti Gaçi, që është edhe i zgjedhur në atë zonë, tha se dëmi mjedisor që shkaktohet për banorët është i madh, por Basha po dëshmon se për të kunati është i pari: Qytetarët të Tiranës dhe të Vaqarrit ndoten nga kjo fabrikë që është pa leje ndërtimi dhe pa leje mjedisore. Kjo këtu mbrapa është fabrika e plehrave e përfolur, që menaxhohet dhe ka pronarë njerëz shumë të afërt të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Kjo këtu është prova që tregon që slogani i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha që qytetarët janë të parët ka qenë një gënjeshtër propagandistike. Kjo është prova e vërtetë që qytetarët nuk janë të parët, por kunati është i pari,përfundoi deputeti Artan Gaçi.
/IDEA/