E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i mbeturinave/ Bashkia e Tiranës humbet 50 mijë dollarë në ditë

Tiranë- Një investigim i gazetës IDEA hodhi dritë mbi shkaqet e vërteta të vendimit të Bashkisë së Tiranës për ndalimin e vetëpunësimit të romëve për mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme.

IDEA zbuloi se afër landifillit të Sharrës është ndërtuar një landfill tjetër, privat, ku një kompani misterioze, pa leje mjedisore dhe e paregjistruar në zyrën e tatimeve të komunës ku ushtron veprimtarinë, depoziton të gjitha mbeturinat e riciklueshme të Tiranës.

Nga ky biznes bashkia nuk ka asnjë përfitim. Por nëse bashkia do t’i shiste vetë këto mbetje tek fabrikat e riciklimit çfarë do të fitonte? Ose më saktë, sa para prodhohen nga këto mbetje?

Matja merceologjike e mbetjeve, sipas metodologjisë së Bashkimit Evropian, përllogarit mesatarisht 1 kilogram mbetje për banor (duke llogaritur edhe biznesin që ushtron veprimtari në këtë territor). Nëse do të llogarisim një popullisi afro 700 mijë banorë, qyteti i Tiranës bashkë me fshatrat që hedhin mbeturinat në Sharrë, do të thotë se prodhohen afërsisht 700 tonë mbeturina në ditë.

Nga kjo sasi, po sipas matjes merceologjike, mesatarisht 60% e mbetjeve që gjenerohen janë të riciklueshme dhe në kushtet e Shqipërisë, 40% e kësaj sasi të riciklueshme përfundon në impiantet e riciklimit. E përkthyer në shifra, në impiantet e riciklimit mund të shkojnë në ditë 130-150 ton mbetje, letër, plastike dhe metalike.

Po të llogarisësh një mesatare çmimi me të cilin ricikluesit i blejnë këto lëndë të para, bashkia duhet të fitonte mesatarisht 50 milion lekë të vjetra në ditë, ose afrësisht 50 mijë dollarë, nëse do t’i shiste këto vetë. Ose do të vilte taksat nga kompania të cilës do t’ia besonte mbeturinat kundrejt kontratës.

Por duke marrë parasysh faktin se në Tiranë mbetjet nuk ndahen në burim dhe sasia që mblidhej nga romët nëpër kazanë dhe mjedise publike është shumë më e vogël se sasia që përfundon në Sharrë dhe që tani grumbullohet nga kjo kompani misterioze, shifrat duhet të jenë edhe më të mëdha. Kjo do të thotë se vlera e prodhuar prej tyre është edhe më e madhe se 50 milion lekë të vjetra në ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›