Skandali i shitjes se armeve Greqise
Ka sigurisht optimizëm nga ana e Eurogrupit mbi ecurinë e negociatave për shkëmbimin e bonove mbi borxhin e Greqisë për të shmangur një dështim të pakontrolluar. Por një fakt shumë skandaloz ka dalë në pah sëfundmi mbi shpenzimet ushtarake të Athinës të kërkuara, sipas një artikulli të gazetës “Telegraph”, nga Franca dhe Gjermania. Po shfaqet një sens i thellë hipokrizie nga ana e Europës kryesisht nga dyshja franko-gjermane, të cilët më shumë se të tjerët kanë shprehur irritimin e tyre ndaj problemeve helene, shkruan Telegraph. Në këtë kontekst ka qenë e drejtpërdrejt akuza e numrit një të Eurogroupit, Jean Claude Juncker, i cili edhe pse në mënyrë diplomatike është shprehur se “Është me të vërtetë skandaloze që në kushtet e Greqisë të mos reduktohen shpenzimet ushtarake dhe vendet eksportuese të tyre te mos i reduktojnë këto produkte drejt Greqisë”. Juncker i drejtohet pikërisht dy vendeve, Francës dhe Gjermanisë, nga të cilat Athina ka qenë e detyruar të blejë anije ushtarake dhe helikopterë të tillë për shuma të mëdha eurosh. Një luks që, sipas Juncker, vendi helen nuk duhet dhe nuk mund ta ketë. Akuza për Francën dhe Gjermaninë është e qartë. Si mundet që këto dy vende nga njëra anë inkurajojnë masa shtrënguese në Greqi dhe nga ana tjetër ta detyrojnë Athinën të blejë armët e tyre. Sipas së përditshmes “Telegraph”, edhe një nga anëtarët e Parlamentit Europian, Martin Callanan, lider i konservatorëve ka deklaruar se Gjermanisë dhe Francës nuk i intereson asgjë për të ardhmen e Greqisë.
Në vitin 2010 Gjermania i ka shitur Greqisë armë dhe një anije ushtarake për një vlerë prej 336 milionë stërlina, vit në të cilin Greqia u zhyt në krizë dhe BE nisi orkestrimin e ndihmave për 200 miliardë stërlina, shkruan britanikja Telegraph. Po në këtë vit Athina kishte mbylluar një marrëveshje me Francën për blerjen e disa avionëvë ushtarak për 662 milionë stërlina. Në tetor të 2011-ës, ndërsa BE ishte në shqyrtime për arritjen e një konsensusi për paketën e dytë të ndihmës së shpëtimit të Greqisë, kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez, Sarkozy ishin të qartë kur i kujtuan qeverisë greke se, pavarësisht kushteve për bilancin duhet të paguanin të gjitha kontratat ushtarake ekzistuese. Kështu, ndërsa shpenzimet sociale reduktoheshin me 9%, ato ushtarake rriteshin deri në 18%. Sipas funksionarëve të Institutit gjerman për çështjet ndërkombëtare dhe të sigurisë, këto lloj shitjesh janë një papërgjegjshmëri totale. Sipas tyre vlera e paguar nga Greqia prej 403 miliardë eurosh është një shumë që ka kontribuar shumë në shpërthimin e borxhit publik të vendit helen.