E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i varreve Gjykata e Korcës cakton gjyqtar tjetër

KORCE- Gjykata e Korcës cakton një tjetër gjyqtar për shqyrtimin e dosjes së skandalit të dhunimit të varreve në Boboshticë.
Një seancë më parë tre të pandehurit e kësaj cështjeje, Kreu i OMONIA-s për rajonin e Korcës, Naum Disho dhe dy punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe kundërshtuan zhvillin e gjykimit nga gjyqtari Gjergji Koco. Të pandehurit pretenduan se fakti që Gjergji Koco është nga Boboshtica do të ndikonte në mosgjykimin e drejtë dhe të paanshëm të tyre.
Pas rihedhjes së shortit në Gjykatën e Korcës, sot u caktua gjyqtari Selajdin Pysqyli.
Në fillim të muajit tetor, 2010 në fshatin, Boboshticë me urdhër dhe financim të organizatës OMONIA të Korçës u ndërtua një memorial mbi varrezat e vjetra të fshatit, me pretendimin se aty janë varrosur dy ushtarë grekë. Sipas banorëve të Boboshticës në këto varreza nuk ka pasur asnjë ushtar grek të varrosur dhe aty ndodhen vetëm varet e gjyshërve të tyre, të cilat u dëmtuan dhe eshtrat u lanë zbuluar për disa ditë rresht.
Në fund të nëntorit prokuroria mbylli hetimet për skandalin dhe i kaloi cështjen Gjykatës, duke vënë nën akuzë kreun e OMONIA-s për rajonin e Korcës, Naum Disho dhe dy punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. Nga hetimet u provua se të pandehurit kanë kryer punime të paligjshme, duke mos marrë lejen e ndërtimit nga organet kopetente në varrezat e vjetra të Boboshticës, të cilat janë gërmuar dhe më pas mbuluar me beton.
Tre të pandehurit akuzohen për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm dhe dhunimit të varreve në bashkëpunim dhe po gjykohen në gjëndje të lirë. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 24 janar.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›