E Diel, 1 Nëntor 2026

Skela: “Danimarkë, nuk e ke të lehtë me ne!”



Kapiteni (jo zyrtar) i Shqipërisë, Ervin Skela, është edhe lojtari më me shumë përvojë në përfaqësuese: 59 ndeshje, 12 gola, dhe prej tij, në takimin e 60-të ndërkombëtar me fanellën kuqezeë, pritet shumë në ballafaqimin e dytë kundër Danimarkës në “Qemal Stafa”, kur të parin në “Parken Stadion”, Kombëtarja jonë e humbi mjaft thellë, 3-0. Edhe pse ende pa një ekip, Skela, lojtari më i madh në moshë i kuqezinjve, 32-vjeç, beson se skuadra me kualitetet që zotëron i ka të gjitha mundësitë për t’i ofruar publikut një futboll tërheqës e rezultativ, ndaj skuadrës që mban me meritë vendin e parë në grup, e që ka lënë në hije dy “mega-favoritët” e grupit tonë, Suedinë e Portugalinë, që ndajnë midis tyre vendin e tretë dhe të katërt. “Duam të bëjmë një ndeshje të bukur e të marrim një rezultat pozitiv. Është shumë e rëndësishme të marrim pikë e të ngelemi në vazon e katërt (të eliminatoreve të Kampionatit të ardhshëm Europian). Jemi të bindur që nesër do të bëjmë një ndeshje shumë të madhe dhe jemi të bindur se do të arrijmë një rezultat pozitiv”, - tha ish-mesfushori i Energi Kotbusit, i cili mban shiritin në gjashtë ndeshjet e fundit të kuqezinjve, duke u nisur që nga barazimi 1-1 në miqësoren me Azerbajxhanin, në nëntor të vitit të kaluar. “Danimarka ka shumë për të humbur në Tiranë, pasi vjen me një besim të plotë në Shqipëri. Ata vijnë me bindjen se do të kualifikohen me ndeshjen e Shqipërisë e do të kthehemi në shtëpi të kualifikuar, por jemi ne ata, që duhet t’ia bëjmë Danimarkës shumë të vështirë këtë gjë. Jemi në shtëpinë tonë dhe nuk i lejojmë të fitojnë kaq lehtë”, - tha Skela, i cili në miqësoren kundër Qipros shënoi dy gola nga pika e bardhë, që e ngjiti fantazistin në kuotën e 12 golave, dy më pak se rekordmeni absolut, Alban Bushi (14).

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›