Skela nis stërvitjen te gjermanët e Shalke 04
Pas një periudhe pushimi, Ervin Skela ka dalë në stërvitje me ekipin gjerman, Shalke 04. Nuk bëhet fjalë për skuadrën e parë, që drejtohet nga Feliks Magat, por për të dytën, e cila militon në Regionaliga të Gjermanisë Perëndimore. Burime të sigurta pranë lojtarit konfirmuan për “Panorama”, se Skela prej dy ditësh është akomoduar në një hotel në Genzelkirshen. “Ervini ka shkuar aty vetëm për t’u stërvitur, në mënyrë që të arrijë një formë të mirë dhe të jetë gati kur të bëhet pjesë e ndonjë skuadre. Nuk bëhet fjalë që ai të firmosë me ekipin e dytë të Shalkes”,- tregon një burim i sigurt pranë fantazistit vlonjat. Pasi i ka thënë “jo” ftesës së trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, për të qenë në miqësoren kundër Uzbekistanit më 11 gusht, tashmë Skela është në bisedime për të gjetur një skuadër. Nuk është se 33-vjeçarit i kanë munguar ofertat, por asnjëherë ato nuk kanë qenë bindëse. Lojtari preferon një klub të Bundesligës 2, ndërkohë që nëse nuk do të ketë diçka konkrete deri në fundin e këtij muaji, atëherë ai mund t’i thotë “stop” futbollit.