E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela shpreson te Zoti: Këtë herë na duhet fat

TIRANË- Ndeshja me Slloveninë tregoi se kombëtarja shqiptare e ka ende të vështirë të luajë për Ervin Skelën. Ishte kjo arsyeja përse trajneri Josip Kuzhe i ka besuar sërish fantazistit veteran për takimin e sotëm ndaj Bjellorusisë, ndonëse vlonjati nuk ka ende shumë minuta në këmbët e tij. “Çdo lojtari që i ofrohet të luajë për kombëtaren e vendit të tij, është një nder i jashtëzakonshëm që i bëhet, - deklaroi Skela në prag të takimit të së shtunës. – Kombëtarja ka qenë një ëndërr për mua që kur isha fëmijë. Nuk jam në formën time më të mirë, por çdo lojtar, nëse i kërkohet të luajë për 90 minuta, do ta bëjë këtë me shpirt, nga sedra dhe dëshira e madhe. Këtu nuk ka vetëm Ervin, Bogdan, Lorik apo Altin, por ekziston një ekip, një staf teknik dhe mjekësor. Jemi si një familje e madhe. Meqënëse unë mungova me Slloveninë dhe u ndje mungesa ime, kjo më bën me një përgjegjësi akoma më të madhe”, shtoi ai. I pyetur nëse barazimi është i mjaftueshëm në një ndeshje të tilla, Skela u shpreh: “Është e vështirë ta thuash tani. Ne shpesh jemi euforikë, të gjithë si popull dhe kur humbasim themi ‘ah, erdhëm prapë në origjinë’. Këto gjëra do t’i dëgjojmë gjithmonë. Nëse me Bjellorusinë do ta shohim që mund të fitojmë, duhet të luajmë për të fituar, nëse do ta shohim që s’i mundim dot, atëherë duhet të mbrojmë barazimin. Përshembull, me Bosnjen nëse do na thoshit para ndeshjes, do ishim të kënaqur me një pikë, por më pas, me atë çfarë treguam, mund të kishim marrë më shumë”. Por, sa shanse ka Shqipëria me një skuadër si Bjellorusia? Në vitet e fundit ish-sovjetikët janë kthyer në një “mace të zezë”, teksa kanë arritur 2 fitore dhe 1 barazim në tre përballje. Për Skelën, skuadra duhet të ndryshojë shumë nga ajo paraqitje në Minsk. “Ka gjithnjë nevojë për të ndryshuar, në mënyrë që të arrish rezultate pozitive, - u shpreh fantazisti. – Ne pamë me trajnerin edhe ndeshjen e parë dhe analizuam çdo detaj të tyre, por unë them se duhet të përqendrohemi te loja jonë dhe jo te kundërshtari. Nëse realizojmë detyrat, mund të marrim rezultat pozitiv. Unë jam pak besimtar, besoj te Zoti dhe e di që duhet të kemi edhe njëçikë fat në këtë ndeshje. Futbolli nuk është asnjëherë 11, 13 apo 15 lojtarë, por është shpesh edhe fat”, deklaron Ervin Skela. Vlonjati mbeti pa kontratë në fund të sezonit të shkuar, ndërsa për 6 muaj nuk luajti asnjë ndeshje. Në janar ai kaloi te polakët e Arka Gdynia.

(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›