E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenderbeu fiton ne Durres turneun Supersport

Duke mos arritur të fitonin Superkupën, u detyruan të kënaqeshin me një trofe tjetër, më të vogël, por gjithsesi trofe. Skënderbeu fitoi turneun e sponsorizuar nga Supersport, me ndeshje të luajtura në Durrës, dhe ku morën pjesë edhe Teuta vendase dhe Laçi kurbinas.

Në takimet e luajtura, për fat të keq, përballë tribunave të zbrazura të “Niko Dovanës”, dhe të nisura në orën 19:00, skuadra korçare fitoi përballjen e parë, 2-0 ndaj Laçit të trajnerit Dede, pas golave të shënuar shumë shpejt dhe njëri pas tjetrit.

Veçse, më parë ishte skuadra kurbinase që rrezikoi duke goditur shtyllën me anë të Emurllahut në minutën e 13-të.

Më pas erdhën golat. Fillimisht shënoi Radas në minutën 19-të, duke i shpëtuar pozicionit jashtë loje dhe duke e harkuar topin mbi kokën e portierit Vashaku. Në minutën e 21-të ishte radha e mbrojtësit Bici i cili shënoi me kokë, ndihmuar padashur edhe nga kroati i Laçit, Buljan.

Në ndeshjen tjetër, Teuta mundi Laçin 1-0 me golin e shënuar nga Hyshmeri në minutën e 29-të, duke bërë që takimi ndaj Skënderbeut të përcaktonte fituesin. Kjo përballje, gjithashtu 45-minutëshe, solli suksesin korçar pas gjuajtjeve të penalltive, duke fituar kështu edhe turneun “Supersport”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›