E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu, testi i radhës quhet Vllaznia

Skënderbeu është përpara një prove shumë të vështirë, kur në fundjavë të përballet me Vllazninë në Shkodër. Në fazën e parë, korçarët fituan 2-0, por në ndeshjen e “Loro Boriçit”, trajneri Shkëlqim Muça do të bëjë pa katër lojtarë, përfshirë kapitenin Bledi Shkëmbi (të dëmtuar).

Skuadra korçare, më e financuara këtë sezon, me një faturë që pritet të shkojë deri në fund të sezoni në shifra të panjohura më parë për futbollin shqiptar – 150 milionë lekë, ka dëshmuar se në transfertë shfaqet e pafuqishme dhe në kontrast të plotë me rezultatet maksimale që marrë në shtëpi.

Në transfertë, Skënderbeu ka humbur katër nga shtatë ndeshjet e zhvilluara, me vetëm dy fitore dhe një barazim. Madje të gjitha humbjet e skuadrës së presidentit Agim Zeqo janë pësuar në transfertë.

Pikërisht, këtë “defekt” të skuadrës së tij e njeh dhe trajneri Muça, duke theksuar rëndësinë e ndeshjes me një prej skuadrave që luftojnë për titull. “Në Shkodër është një transfertë aspak e lehtë, ku natyrisht kërkohet rezultat pozitiv– tha ish-trajneri i Dinamos për mediat sportive.

Skënderbeu fitoi 1-0 ndeshjen e fundit ndaj Shkumbinit, në një takim ku humbi edhe mbrojtësin Vlado Markoviç të ndëshkuar me karton të kuq. Vllaznia, nga ana e saj vjen në përballjen me korçarët pas fitores po 1-0, por në transfertën e Laçit.

Shkodranët janë duke bërë një paraqitje të mirë nën drejtimin e Mirel Josës, trajnerit që sezonin e kaluar e mbylli sezonin në bankinën e Skënderbeut, e kjo i komplikon paksa gjërat, pasi një pjesë e lojtarëve korçarë kanë luajtur nën urdhrat e tij.

Vllaznia, që në shtëpi ka marrë katër fitore, por dhe dy humbje të rënda: 4-0 me Dinamon dhe 3-1 me Flamurtarin, ndodhet në vendin e katërt në renditje me katër pikë më pak se Skënderbeu i vendit të dytë, 28.

Vllaznia e konsideron si një “finale të parakohshme” përballjen me Skënderbeun dhe si një mision që duhet përmbushur me fitore, pavarësisht mungesave në mbrojtje, Rajoviçit dhe Smajlit.

Vllaznia në pesë ndeshjet e fundit ka treguar një stabilitet për t’u admiruar në prapavijë, duke mos pësuar asnjë gol, çka do ta bëjë më të vështirë për repartin ofensiv korçar në shënimin e golit, pavarësisht se shkodranët në ndeshjet e shtëpisë ka një bilanc simetrik: 10 gola të shënuar, 10 gola të pësuar, por me Skënderbeun, që nuk ka ndonjë sulm për t’u admiruar në transfertë.

BALLË PËR BALLË

NË KAMPIONAT

VLLAZNIA
14 ndeshje; 7 fitore, 3 barazim, 4 humbje. Gol. 14-13 Pikë: 24

SKËNDERBEU
14 ndeshje; 9 fitore, 1 barazim, 4 humbje. Gol. 24-15. Pikë: 28

VLLAZNIA NË SHTËPI
7 ndeshje; 4 fitore, 1 barazim, 2 humbje. Gol. 10-10. Pikë: 13

SKËNDERBEU NË TRANSFERTË
7 ndeshje; 2 fitore, 1 barazim, 4 humbje. Gol. 4-11. Pikë: 7

NË FAZËN E PARË
Skënderbeu-Vllaznia 2-0

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 15

Shkumbini-Dinamo
Teuta-Besa
Vllaznia-Skënderbeu
Tirana-Kastrioti
Elbasani-Laçi
Bylis-Flamurtari

V    Skuadra              N      D+-      P
1     Flamurtari            14     +13     31
2     Skënderbeu         14     +9     28
3     Dinamo            14     +5     24
4     Vllaznia             14     +1     24
5     Tirana             14     +5     22
6     Teuta                14     +4     21
7     Kastrioti             14     -2     17
8     Laçi                 14     -2     17
9     Shkumbini            14     -3     17
10     Bylis                14     -10     12
11     Elbasani             14     -9     9
12     Besa                 14     -11     9

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 14 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›