E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’kishte vend për prezumim pafajësie

Megjithë momentet e pakëndshme që përjetoi dje mazhoranca e posaçërisht kabineti qeveritar, pas publikimit të pamjeve filmike me ministrin ende në detyrë, Ylli Pango, e para gjë që të vjen ndërmend është leksioni që duhet nxjerrë nga kjo situatë e pretenduar e shpërdorimit të detyrës dhe nga ky standard i papranueshëm që ofrohet nga një figurë publike. Sqarimi është ende në zanafillë, megjithatë kryeministri Sali Berisha ka dhënë përgjigjet e para, duke deklaruar se s’mund të ketë mbrojtje në një situatë pushteti. Anëtarësia në kabinetin qeveritar nuk mund të njolloset assesi, dhe njollë mund të konsiderohet edhe procesi sqarues, kur indiciet janë krejt të papërputhra me moralin shoqëror.
Mund të ishte një diskurs tjetër (paçka se i sikletshëm e goxha postmodern), nëse do të bëhej fjalë për një eksponent të shoqërisë civile, për një përfaqësues të botës akademike, apo për ndonjërin që e siguron jetën me mundin e vet, e bile për aktivitetin e vet, edhe i paguan taksa shtetit. Videot (audiot) e mbrëmshme kishin në qendër një ministër, në pamje e dialogje që linin shumë vend për diskutim. Askush s’mund të shtijë fall se çka më tej emisioni televiziv që i transmetoi ato, apo ç’mbrojtje ka ndërmend të paraqesë Ylli Pango, por një përfaqësues kabineti s’mund të ketë të drejtën të gëzojë prezumimin e pafajësisë.
S’ka nevojë të merremi me teorira. Një zyrtar i lartë shtetëror (ministër bile), kur ka marrë përsipër privilegjin e shërbesës, ka hequr dorë bash nga ajo e drejtë që e gëzojmë ne të tjerët, atë të prezumimit të pafajësisë. Gjithë ne të tjerët mund të rrinim në mbrëmje të shqetësuar, duke rrufitur kafenë e duke përpunuar strategji se si të dilnim të larë nga – ta zëmë – historia me komshien, por për administratorët kjo nuk vlen. Është ky një leksion i përsëritur, i dhënë nga kryeministri Sali Berisha edhe më herët, e që mbrëmë mori një përgjigje spikatëse. Pozicioni i qytetarit Ylli Pango nuk mund të mbrohet nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ka qenë besoj një çast i sikletshëm për kryeministrin, për zotin Pango, por edhe për anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar. Megjithatë, paçka se vetëm pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kultura politike regjistron edhe një precedent të ri të leksionit se qeverisja nuk është një tërësi privilegjesh, përkundrazi, bëhet fjalë edhe për disa privime. Në rastin e zotit Pango, s’mund të aplikohej prezumimi i pafajësisë, megjithatë ne si media, kemi për detyrë të kujtojmë se si kryeministrat socialistë – të gjithë me radhë, Nano, Majko, Meta e prapë Nano (precedentë ka edhe kryebashkiaku Rama apo ish-kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Ardian Klosi) e bënin veshin shurdh e talleshin, kur denoncohej shpërdorimi i detyrës, përdhunimet në paradhomat e ministrave apo marrja e erzit të vartëseve në zyrat e poltronat e ministrave.
Është padyshim një histori jopozitive e qeverimit, por që dje ka konfirmuar një standard që anëtarët e ardhshëm të kabineteve do ta marrin mirë parasysh.     

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›